
Autoritetet franceze kanë urdhëruar evakuimin e 4,000 personave të tjerë nga zonat turistike përgjatë bregdetit të Atlantikut, duke zgjeruar atë që mund të jetë evakuimi më i madh në kohë paqeje në historinë e Francës. Rikthimi i temperaturave të larta dhe thatësira po kërcënojnë përpjekjet e zjarrfikësve për të vënë nën kontroll një nga zjarret më të mëdha në perëndim të Bordeaux.
Në rajonin e Girondës, situata mbetet kritike. Vatra të reja zjarri janë shfaqur në gadishullin Les-Cap-Ferret, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin paraprak të mijëra turistëve dhe banorëve nga kampingjet dhe destinacionet bregdetare.
“Zjarri është si Davidi kundër Goliathit”, deklaroi Eric Brocardi, zëdhënës i Federatës Kombëtare të Zjarrfikësve. Ai bëri të ditur se katër zjarrfikës kanë humbur jetën në javët e fundit në Francë, ndërsa rreth 2,000 efektivë janë angazhuar në Gironde për të luftuar flakët që prej disa ditësh kanë përfshirë zonën mes bregdetit dhe Bordeaux.
Guvernatorja rajonale Sophie Broccas tha se të martën janë regjistruar 14 shpërthime të reja zjarri në zona që ishin prekur më herët, duke paralajmëruar se situata mbetet shumë e pasigurt.
Një flotë prej 23 avionësh zjarrfikës po punon pa ndërprerje duke hedhur ujë dhe lëndë shuarëse mbi vatrat e zjarrit, ndërsa dëmet në infrastrukturë janë të mëdha, me dhjetëra banesa të shkatërruara.
Flakët kanë krijuar edhe një fenomen të pazakontë atmosferik. Për herë të parë në historinë e Francës është formuar një re zjarri e tipit Pyrocumulonimbus, e cila ka gjeneruar vetëtima dhe erëra të forta, duke përshpejtuar përhapjen e flakëve.
Ndërkohë, edhe Spanja po përballet me valën e katërt të të nxehtit këtë verë, me temperatura që në disa zona kanë kaluar 40 gradë Celsius.
Zjarri në provincën Avila, në perëndim të Madridit, është bërë më i madhi i regjistruar ndonjëherë në historinë e vendit, duke shkatërruar qindra kilometra katrorë pyje dhe toka bujqësore.
Megjithëse zjarrfikësit kanë arritur të stabilizojnë disa nga frontet kryesore, duke u mundësuar mijëra banorëve të kthehen në shtëpitë e tyre, Spanja po përballet me një bilanc tragjik viktimash. Për shkak të përmasave të katastrofës, qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare.
Shkencëtarët paralajmërojnë se zjarret e këtij viti janë një tjetër dëshmi e ndikimit të ndryshimeve klimatike në Evropë. Kontinenti po ngrohet me një ritëm rreth dy herë më të shpejtë se mesatarja globale, ndërsa fenomenet ekstreme të motit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më shkatërruese.