
TIRANË- Gjyqi ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit, ka nisur në GJKKO, ndërsa bëhet me dije se të dy janë të pranishëm në seancë. I pranishëm në ktë seancë gjyqësore është edhe njëri nga prokurorët e çështjes, Sotir Kllapi. Monika Kryemadhi ka vijuar kundërshtimet, duke thënë se komunikimet e saj janë shkëputur nga konteksti.
Sipas saj, mesazhi i 11 prillit nuk përmban urdhër politik por akuza ka shkëputur vetëm një pjesë dhe e ka komplet nxjerrje nga konteksti. Më tej, ajo tha se provat shkresore tregojnë se organi i akuzës i numëron "qimet e shtëpisë" dhe ja nxjerr në media, ndërsa kërkon më shumë kohë për të folur.
Në lidhje me këtë, trupa gjykuesi i thotë se në seancë nuk mund të flitet për gjithçka dëshiron ajo. Kjo duke shtuar se, sipas rregullave procedurale, do të flas vetëm për faktin objekt gjykimi.
Kryemadhi: E kemi lënë në faqen 46 të akuzës. Jam e detyruar të bëj një analizë shkencore, ku akuza bën interpretime të ndryshme. Nga komunikimi rezulton vetëm kjo fjali: “U firmos dhe u shpërnda te të gjithë ministrat.” Shatku thotë: “Urime.” Sipas akuzës, ky SMS që u shpërnda tek të gjithë ministrat quhet provë. Por kjo gjë nuk u miratua, atëherë akuza nuk duhet të ekzistojë. Ky debat nuk ishte mbi favorizimin e Unifi, siç pretendon akuza, por për kompetencat. Mesazhi i 11 prillit nuk përmban urdhër politik. Përkundrazi, akuza ka shkëputur vetëm një pjesë. Ka komplet nxjerrje nga konteksti.
Në 19 qershor, Shatku çon SMS: “Ke folur gjë me Ëngjëllin?”
Shatku bën një pyetje. A kishte përgjigje nga unë? Se në telefonin tim janë disa Ëngjëlla. A ka kryer hetim akuza se kush është Ëngjëlli dhe a ka folur Kryemadhi me të? Akuza pretendon se më vonë Ëngjëll Zeqo më nis raport.
Më tej, akuza i referohet komunikimeve mes Shatkut dhe Darien Faber.
Kryemadhi: Të gjithë thonë: “Të kishim shkopin magjik”, po faktikisht shkopin magjik e kishin ca të tjerë. Dokumentet mbështesin tezën se Ardian Shatku e ndiqte vetë komunikimin me investitorët.
Kryemadhi: Askund nuk rezulton një mesazh: “Bëje se do të jap para, bëje se të shkarkova, bëje se të vrava.”
Kryemadhi: Emaili i dërguar Haxhinastos nuk përmban asnjë element ndërhyrjeje. Për rrjedhojë, edhe faqja 47 nuk provon asgjë, sepse është ndjekje e një procedure administrative të Unifi.
Në faqen 48, SPAK lidh teorinë e përfitimit përmes kartës ekspres. Provat përdoren ose në një ngjarje, ose në tjetrën, pra karta ose është përdorur tek Unifi, ose tek Vodafone.
Kryemadhi: Pra bëhet fjalë për komunikimin e 25 shtatorit me Ardian Shatkun. Komunikimi ka dy anë personale mes meje dhe kushëririt. Unë jam në San Marino dhe në 30 faqe komunikimi, në fund shkëpusin një fjali. Siç jemi ne këtu në gjykatë dhe themi një fjali: “Ore, ati, flamingot do vazhdojnë apo jo?” Dhe të merret kjo fjali e shkëputur.
Gjykata: Me sa duket, ju jeni bërë edhe juriste.
Kryemadhi: Po, po, e mësova dhe këtë zanat në pleqëri.
Gjykata: Kur të vijë momenti, do të flasim për provat.
Kryemadhi: Provat shkresore tregojnë se organi i akuzës më numëron qimet e shtëpisë dhe m’i nxjerr në media. Mua, të paktën, do të më japësh kohën të flas një më një. Se në qoftë se këta kanë sjellë 2 mesazhe me Ardian Shatkun, unë do t’i lexoj të 300.
Gjykata: Këtu nuk flitet për gjithçka doni ju. Sipas rregullave procedurale, do të flisni vetëm për faktin objekt gjykimi. Që do të thotë, në atë telefon ju mund të keni 5 mijë emaile, ju do të përmendni çfarë ka për hetimin.
Kryemadhi: Nëse do bëja ashtu, do më duheshin 45 vjet gjykim që t’i lexoja një më një, por kontekstin e emaileve dhe mesazheve në objekt do ta sjell.
Gjykata: Thuaj, kjo është në mënyrë të përmbledhur.
Kryemadhi: E përmbledhur është. Avokatët vijnë e flasin në anën procedurale. Unë di të them se, duke parë dosjen faqe për faqe çdo ditë, më rezulton një provë e re që hedh poshtë çështjen.