
Policia e Shtetit ka finalizuar dy faza të tjera të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, në bashkëpunim me partnerët e Interpol-it në Kolumbi dhe Itali.
Saimir Rosales Rodriguez, shtetas kolumbian i njohur me nofkën “Kimisti”, është ekstraduar nga Kolumbia drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin me 14 vite burg, të vendosur pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për laboratorin e kokainës në Frakull.
Ndërkohë, nga Italia u ekstradua Fadil Ternova 38 vjeç, lindur në Bulqizë, i kërkuar për disa vepra penale, përfshirë tentativë vrasjeje me armë zjarri në aksin Bulqizë-Tiranë, si dhe vepra të tjera penale.
Policia e Shtetit/Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, finalizohen 2 faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”.
Ekstradohet nga Kolumbia, pjesëtari i një grupi kriminal, i cili akuzohet se ka shoqëruar një kontejner me lëndë narkotike, nga porti Buenaventura, në Greqi dhe Mal të Zi, me destinacion Shqipërinë.
Ekstradohet nga Italia, një shtetas i akuzuar/dënuar për 4 vepra penale, ndër to, për tentativë për vrasje me armë zjarri.
Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale intensive të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Bogotës, Kolumbi dhe të Interpol Romës, Itali, u finalizuan 2 faza të tjera të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, gjatë të cilave u ekstraduan në Shqipëri:
•shtetasi kolumbian i arrestuar në Kolumbi, S. R. R., 53 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formë të veçantë, atë të bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë periudhës 7 korrik 2022–12 nëntor 2022, Policia e Shtetit dhe autoritetet në Mal të Zi kanë shkëmbyer informacione lidhur me një kontejner me ngarkesë të dyshimtë me pleh organik të transportuar me anije, në portin e Tivarit. Ngarkesa, nga të dhënat paraprake të administruara për interesa të procedimit, rezultonte se ishte nisur nga porti Buenaventura, Kolumbi, kishte kaluar nëpërmjet portit të Pireut, Greqi, kishte destinacion tranzit Malin e Zi dhe kishte marrës një shtetas shqiptar. Nga hetimet e mëtejshme të kryera për këtë rast rezultoi se shtetasi S. R. R. kishte shoqëruar ngarkesën me lëndë narkotike, përgjatë itinerarit Kolumbi-Greqi-Mal i Zi, deri në destinacionin final;
•shtetasi i arrestuar në Itali, F. T., 38 vjeç, lindur në Bulqizë, pasi Gjykata e Dibrës:
-në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2024, në aksin rrugor “Bulqizë-Tiranë”, shtetasi F. T. ka tentuar të vrasë me armë zjarri (automatik), shtetasin A. P., pas një konflikti verbal me të, për motive të dobëta;
-në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim;
-në vitin 2018, e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.