TIRANË- Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga momenti kur Sokol Hoxha, i akuzuar për tre vrasje në Shqipëri dhe Belgjikë, mbërrin në Rinas. Siç shihet edhe në pamje, Hoxha shihet teksa zbret nga avioni pa pranga në duar dhe i qetë, duke përshëndetur edhe autoritetet amerikane.
51-vjeçari ndodhej në arrati prej rreth 30 vitesh. Ai u arrestua më 5 maj të këtij viti në Ohajo dhe akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos dhe të një gruaje shqiptare në Belgjikë, Brunilda Dervishi. Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit thekson se në vitin 2000, Gjykata e Fierit e dënoi me 25 vite burg për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, pasi më 30 mars 1997, në Patos, së bashku me një tjetër person, vrau me armë zjarri dy vëllezërit Banaj.
Ndërkohë, në vitin 2010, Gjykata e Brukselit e dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen me dashje të Brunilda Dervishit, krim i ndodhur më 29 gusht 1997. Sipas autoriteteve, viktima ishte shfrytëzuar më parë për prostitucion nga i dënuari.
Hoxha dyshohet se kishte inskenuar një martesë me Brunilda Hoxhën me qëllim shfrytëzimin e saj, të cilën më pas e qëlloi për vdekje në një lokal në Bruksel, pasi ajo refuzoi t'i bindej urdhrave të tij. Pas krimit në Belgjikë, Hoxha u largua drejt Britanisë së Madhe duke përdorur identitet të rremë si refugjat kosovar, një taktikë e njohur përmes së cilës siguroi edhe lejen e qëndrimit.
Ai nisi kështu një jetë të re, me identitet krejt tjetër, por sërish me barrën e rëndë të tre viktimave në Shqipëri dhe në Belgjikë. Pas më shumë se dy dekadash, agjencitë hetimore shqiptare morën indicie se vendodhja e Hoxhës ishte në SHBA, pasi agjenci ligjzbatuese amerikane, belge, britanike, kosovare u angazhuan për të shkëmbyer informacione mbi këtë kriminel.
Pas arrestimit në SHBA, autoritetet shqiptare kanë nisur komunikimin me homologët belgë për transferimin në Shqipëri edhe të vendimit penal të dhënë nga drejtësia belge, me qëllim koordinimin e procedurave për vuajtjen e dënimeve. Me mbërritjen në Shqipëri, Sokol Hoxha do tu nënshtrohet procedurave ligjore për ekzekutimin e vendimit të gjykatave shqiptare, ndërsa pritet të ndiqen edhe hapat ligjorë lidhur me kërkesën e autoriteteve belge.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Policia e Shtetit. Deportohet në Shqipëri, një shtetas i dënuar për 3 vrasje në Shqipëri dhe në Belgjikë. Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentit të Policisë Kriminale/Njësisë së Hetimeve të Përbashkëta, Interpol Tiranës, Interpol Uashingtonit, Interpol Mançesterit dhe Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, u finalizua procedura për deportimin në Shqipëri, të shtetasit të arrestuar në Ohio, më datë 05.05.2026: Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier.
Ky shtetas, në vitin 2000, është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, pasi më datë 30.03.1997, në Patos, Fier, në bashkëpunim me shtetasin D. S., ka vrarë me armë zjarri, shtetasit H. B. dhe I. B. (vëllezër), për motive të dobëta. Gjithashtu, në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Brukselit, Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi më datë 29.08.1997, ka vrarë me armë zjarri, në Bruksel, një shtetase shqiptare, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.
Deportimi i shtetasit Sokol Hoxha, mëngjesin e sotëm, rezultat i bashkepunimit te vazhdueshem ndërkombëtar policor ndërmjet hetuesve nga Njësia Speciale Policore e Departamentit të Policisë Kriminale (e njohur si Njësia e Përbashkët e Shërbimeve Investiguese), e cila punon ngushtë me Njësitë e Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU në Ambasadën Amerikane në Tiranë, si dhe me Marshallët Amerikanë dhe me ICE-ERO në SHBA. Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar dhe e vendosur për të qëndruar përkrah partnerëve amerikanë për hetime të përbashkëta dhe në veçanti për rastet e shtetasve në kerkim që i fshihen sistemeve të drejtesise të të dyja vendeve.