TIRANË- Mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pritet t’i drejtohet në muajin shtator Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Dy kompani ligjore të huaja, një britanike dhe një amerikane, në bashkëpunim me avokatët shqiptarë të Veliajt, po përgatisin dosjen që do t’i paraqitet gjykatës ndërkombëtare.
Avokati Plarent Ndreca deklaroi se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për të evidentuar shkeljet e pretenduara ligjore në procesin penal ndaj Veliajt. Sipas mbrojtjes, avokatët amerikanë nuk kanë mundur të marrin leje nga SPAK për të takuar klientin e tyre në ambientet e paraburgimit.
Ndërkohë, avokati Ben Brendon, përfaqësues i studios ligjore britanike, zhvilloi këtë të martë një takim me Erion Veliajn në burg, ku u njoh edhe me dosjen hetimore.
"Kjo është hera e parë që ne e kemi takuar Erionin. Ka qenë një takim produktiv. Sot kemi diskutuar për dërgimin e çështjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për mënyrën e qëndrimit të tij në burg. Ne shpresojmë që ai të lirohet dhe të mund të vijojë jetën e tij jashtë burgut dhe të vijojë detyrën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Gati pesë orë ka zgjatur takimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me avokatin anglez dhe atë shqiptar, në burgun e Durrësit, ku qëndron kryebashkiaku," tha Ben Brendon, avokat i studios ligjore angleze.
Për çfarë akuzohej Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.