
TIRANË – Shteti bektashi në Tiranë duket se ka kaluar në një fazë të re, atë të marrjes formë. Gjatë kësaj kohe ashtu si në heshtje mesa duket puna për krijimin e një shteti të ri brenda Tiranës, duket se është në nivel tjetër, atë të krijimit të monedhes zyrtare dhe të pasaportës.
Por si nisi ideja e krijimit të këtij shteti?
Ideja për krijimin e një shteti bektashi në Shqipëri u bë publike në shtator të vitit 2024. Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, i cili e bëri të ditur projektin më 21 shtator 2024, në një intervistë për The Neë York Times. Sipas propozimit, në Tiranë do të krijohej një entitet sovran brenda territorit ku ndodhet Kryegjyshata Botërore Bektashiane. Modeli i marrë si referencë ishte Vatikani, ndërsa territori i parashikuar do të ishte rreth 10-11 hektarë.
Pas intervistës, e cila bëri bujë në Tiranë, Rama e përmendi projektin edhe në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ideja u paraqit si një mënyrë për të promovuar në arenën ndërkombëtare traditën e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare që përfaqëson Shqipëria.
"Urdhëri bektashi do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative. Kjo lëvizje do t’i mundësojë Urdhrit të forcojë rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm në mbarë botën. Sovraniteti do të sigurojë mbrojtjen dhe pavarësinë e praktikave fetare të Urdhrit Bektashi dhe promovimin ndërkombëtar të këtyre vlerave”, u shpreh Rama asokohe.
Projekti mori mbështetjen e Kryegjyshit Botëror Bektashi, Baba Mondit. Në konceptin e propozuar, ai do të ishte figura kryesore e shtetit të ri. Ndryshe nga një shtet tradicional, entiteti do të kishte përmasa shumë të vogla dhe do të funksiononte kryesisht si një qendër fetare dhe diplomatike. Është folur për shtetësi të kufizuar, institucione të vogla dhe mungesë të një ushtrie.
"Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare”, citohet kryegjyshi në deklaratë, ndërsa shpjegohet më tej se “si ent shpirtëror, shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit. Qeverisja e shtetit do të udhëhiqet nga udhëheqja shpirtërore e Urdhrit, me Kryegjyshin (Dedebaba) dhe një këshill që do të mbikëqyrë funksionet fetare dhe administrative”, tha baba Mondi.
Deri më tani mbetet e paqartë rruga ligjore që do të duhet të ndiqet për njohjen e sovrantitetit të tij. Kushtetuta shqiptare parashikon në Nenin 1 të saj se “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”. Një ndërhyrje për ndryshimin e saj do të kërkonte një shumicë prej dy të tretave të parlamentit, ose 94 vota.
Nuk ka ndonjë shifër të saktë të numrit të besimtarëve bektashinj në botë, ndërkohë që në Shqipëri, sipas të dhënave të censusit të fundit, janë deklaruar si të tillë, pak më shumë se 115 mijë persona, ose më pak se 5 përqind e popullsisë rezidente.
Kritikat ndaj idesë për krijimin e një shteti bektashi në Tiranë kanë qenë të forta dhe janë përqendruar kryesisht te Kushtetuta, karakteri laik i shtetit shqiptar dhe rreziku i krijimit të një precedenti të pazakontë. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ishte ndër zërat më kritikë dhe kundër ndërtimit të këtij shteti. KMSH ka shprehur shqetësimin se krijimi i një shteti me bazë fetare brenda territorit të Shqipërisë mund të cenojë parimin e shtetit laik dhe të krijojë ndarje të reja brenda komunitetit mysliman.
Edhe juristë dhe studiues të së drejtës ndërkombëtare kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si një entitet i tillë mund të fitojë sovranitet. Një nga çështjet kryesore është se Shqipëria, sipas Kushtetutës, është një shtet unitar dhe i pandashëm. Për këtë arsye, nuk mjafton një vendim politik për t'i dhënë një pjese të territorit shqiptar statusin e një shteti të pavarur.
Në një anketim të bërë nga media BIRN, në Shqipëri dy vitë më parë u zbulua që 87% e të pyeturve janë kundër krijimit të këtij shteti ndërsa vetëm 9% janë pro. Pjesa tjetër e qytetarëve të anketuar, ishin të dyzuar në lidhje me krijimin e këtij shteti.
Si vazhdon projekti deri më sot?
Krijimi i shtetit bektashi që prej kohës që u prezantua ideja fillestare, rreth 2 vite më parë, pothuaj se ishte harruar fare, deri ditën e djeshme. Ka qenë një media franceze 'Intelligence Online', e cila ka sjell detaje të reja rreth krijimit të shtetit të ri bektashi, duke theksuar se do të ketë pasaportën dhe paranë e vetë të quajtur BEK.
Sipas kësaj mediaje, puna për ndërtimin e këtij shteti ka vazhduar në fshehtësi gjatë kësaj kohe nga tre negociatorë kryesorë. Tre negociatorët janë Kreshnik Grezda, Christopher Hyland dhe Hazis Vardar. Ky shtet planifikohet që të jetë gati për në shtator, ndërkohë që detaje të reja pritet të publikohen së shpejti.