
KSAMIL- Dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil. Konkretisht bëhet fjalë për Miosid Matushaj, punonjës i strukturave të Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, dhe Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër.
Sipas hetimeve, Matushaj dhe Shehu ndodheshin në lokalin “Principote” në momentin kur ka nisur konflikti që më pas përfundoi me vrasjen e turistit protugez. Dy punonjësit e policisë kishin shkuar në lokal në rolin e bodyguard-ëve, ndërkohë në detyrë duhej të garantonin sigurinë në ambientet e lokalit.
Edhe pse të pranishëm në lokalin “Principote”, ata nuk kanë ndërhyrë gjatë konfliktit për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Veç kësaj, Matushaj dhe Shehu nuk kanë njoftuar as autoritetet e Policisë së Shtetit për vrasjen.
Për këtë arsye, ndaj tyre është marrë masa e pezullimit nga detyra. Miosid Matushaj është arrestuar dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”. Edhe Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër, rezulton të ketë qenë pjesë e grupit të personave që ushtronin funksionin e sigurisë në “Principote”.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, ku i riu francez, Miguel Mendes, është gjetur pa shenja jete në shezlongët e një plazhi, pranë ‘Principotes’. 20-vjeçari është përfshirë në një konflikt për një vajzë dhe më pas është goditur me thikë nga Sokrat Vata. Në konflikt mësohet se kanë qenë edhe disa persona të tjerë të përfshirë, të cilët e kanë nxjerr nga lokali deri tek porta dhe më pas 29-vjeçari e ka goditur me thikë. Pas ngjarjes autori është larguar nga vendi, por arratia e tij nuk zgjati shumë. Autori 29-vjeçar nuk është një emër i panjohur pasi ka një të kaluar kriminale në Britaninë e Madhe. Lidhur me ngjaren policia ka shoqëruar 42 persona. Në kërkim është shpallur edhe pronari i 'Principotes', Bekim Bulica.
Kush është autori, Sokrat Vata?
Sokrat Vata rezulton të jetë një person me precedent penal. Emri i 29-vjeçarit është përmendur edhe më herët në një çështje penale në Angli. Në vitin 2023, Vata ishte shpallur fajtor për posedim të një arme sulmuese, konkretisht një perforcuesi metalik grushti, posedim kokaine dhe drejtim automjeti pa siguracion. Ndërsa, më 13 prill 2024, në Kent, Vata përmbysi një automjet të klonuar që po drejtonte pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar në autostradën A20, në East Malling.
Ai u largua nga vendngjarja, ndërsa në automjet u gjetën disa qese me kokainë dhe targa. Vetëm 17 ditë më vonë, më 30 prill 2024, Vata u përfshi sërish në një ndjekje policore në Cambridge. Ai po drejtonte një Toyota RAV4 gri të raportuar të vjedhur dhe, pasi policia tentoi ta ndalonte, u largua me shpejtësi. Ndjekja vijoi në disa rrugë të qytetit.
Vata ndaloi për pak kohë për të zbritur një pasagjer dhe më pas vazhdoi drejt Clara Rackham Road, ku u largua me vrap dhe hodhi një pako me kokainë në një shkurre. Më pas, policia e gjeti të fshehur në kopshtin e pasmë të një banese. Gjatë kontrollit, të riut iu gjetën 560 paund cash, ndërsa në automjet u zbuluan edhe targa. Vata rezultoi gjithashtu pozitiv për drejtim automjeti nën ndikimin e drogës.
Pronari 'në hije' i ‘Principotes
Resorti “Principotes” ku u gjet i vrarë me thikë 21-vjeçari portugez, Luis Miguel Varela Mendes, ndodhet përballë tre ishujve të Ksamilit. “Principotes” nuk është një resort i thjeshtë, pasi pas tij fshihen personazhe të njohura të botës së krimit. Konkretisht, “Principotes” rezulton të jetë e regjistruar nën emrin e një 71-vjeçareje nga Kukësi, Kade Bulica. Kjo e fundit është e ëma e Bekim Bulicës, një emër që shfaqet shpesh në kronikat e zeza, me një të kaluar të errët e problematike.
Emri i tij lakohet nga mediat franceze, për mënyrën se si, Bekim Bulica po pastron paratë e kokainës së Parisit nga Tirana në Ksamil. Prania e ndikimeve franceze në aktivitetin e Bulicës duket veçanërisht e theksuar, pasi “Principotes” mban një emër francez “La Guerre” (Lufta). Në këtë resort, çdo të hënë organizohen “Netët franceze” dhe pikërisht mbrëmjen e kaluar, ishte i ftuar një DJ francez, ku po festonte edhe i riu portugez, ku fatkeqësisht pushimet iu kthyen në fundin e jetës së tij.
Bekim Bulica është ekstraduar nga Franca në shkurt të vitit 2021. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, me vendimin penal të datës 14.10.2019 i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.09.2019, në Kukës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të shtetasit F. C. Megjithatë nuk dihet se çfarë dënimi ka marrë Bulica dhe sa kohë ai ka kaluar në qeli.
Por në shtatorin e e vitit 2023, emri i Bekim Bulicës shfaqet sërish. Ai u përfshi në një ngjarje të dhunshme në Tiranë. Së bashku me disa familjarë të tij dhe një tjetër person, ata i zënë pritë një polici dhe vëllait të tij, duke i rrahur më pas me shkopinj gome. Edhe në maj të maj 2024, emri i Belim Bulicës qëndron në tituj krysorë në mediat franceze. Gazeta prestigjoze franceze Le Monde publikoi artikullin “Overdose”, ku përshkruante një shqiptar të identifikuar me pseudonimin “Zamir”, i cili drejtonte një nga call center-at më të lulëzuar të kokainës në Paris.