TIRANË- Kryeministri Edi Rama foli për miratimin e Udhërrëfyesit Kombëtar për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.
Në podkastin e tij të përjavëshëm, Rama u shpreh se, Udhërrëfyesi përcakton objektiva konkrete dhe të matshme për zhvillimin e vendit në vitet që vijnë, një plan që orienton institucionet tona drejt prioriteteve të lidhura me ekonominë, me arsimin, shëndetësinë, mjedisin, mirëqeverisjen dhe, në tërësi, cilësinë e jetës.
Sipas tij, ka miratuar edhe një partneritet strategjik me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027–2031, për një bashkëpunim që do ta mbështesë Shqipërinë në disa prej fushave më të rëndësishme të zhvillimit.
“Menjëherë pas asaj dite të shënuar në Bruksel, ku hymë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ne jemi ulur dhe kemi miratuar disa vendime të rëndësishme që lidhen me Shqipërinë që duam të ndërtojmë deri në fund të kësaj dekade. Një Shqipëri për të cilën puna përqendrohet sigurisht te përmbushja e objektivave që kanë të bëjnë me mbylljen e 33 kapitujve të negociatave sipas kalendarit të dakordësuar, në mënyrë që të realizojmë objektivin, por njëkohësisht një Shqipëri që, në këtë kontekst, me Udhërrëfyesin Kombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030, një dokument i miratuar menjëherë pas Brukselit që përcakton objektiva konkrete dhe të matshme për zhvillimin e vendit në vitet që vijnë, ne në thelb realizojmë një plan që orienton institucionet tona drejt prioriteteve të lidhura me ekonominë, me arsimin, shëndetësinë, mjedisin, mirëqeverisjen dhe, në tërësi, cilësinë e jetës.
Po ashtu, kemi miratuar edhe një partneritet strategjik me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për periudhën 2027–2031, për një bashkëpunim që do ta mbështesë Shqipërinë në disa prej fushave më të rëndësishme të zhvillimit, duke filluar nga kapitali njerëzor dhe transformimi ekonomik, te rritja e gjelbër, drejtësia gjithmonë dhe padyshim, si dhe, në tërësi, forcimi i institucioneve.
E solla këtu, në këtë shënim, këtë moment, sepse shpesh integrimi europian, rruga e negociatave, përmbushja e detyrave për kapitujt përkatës, shihen vetëm si një proces i ndarë, si një proces që lidhet me ndërveprimin mes nesh dhe Komisionit Europian, por në fakt integrimi është shumë më tepër se kaq. Ai lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me aftësinë tonë për të ndërtuar institucione më të forta, për të investuar te njerëzit, për të planifikuar zhvillimin afatgjatë, por edhe me domosdoshmërinë për ta përgatitur Shqipërinë, për ta jetësuar në hapësirën e republikës sonë vendin e standardeve dhe të përgjegjësive të shtetit në raport me qytetarin dhe të qytetarit në raport me shtetin, e të dyve bashkë në raport me të nesërmen e atdheut”, u shpreh Rama.