
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në Kuvendin Kombëtar se besimi te fitorja ka qenë shtysa kryesore që e ka udhëhequr në betejën politike të viteve të fundit. Kreu i PD-së u shpreh se partia ka kaluar një rrugëtim të vështirë, duke u përballur me qeverinë, mediat pranë saj dhe grupet kriminale, por sipas tij tashmë opozita nuk ndodhet më në mbrojtje.
Berisha tha se sfida kryesore e demokratëve në këtë fazë është ripërtëritja e Partisë Demokratike, të cilën e cilësoi si një proces jetik për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe për ndryshimin e vendit.
"Kilometri i fundit nuk është një kilometër i lehtë. Jo se them që është i lehtë. Në maratonë të gjithë e dinë se cila është pesha e kilometrit të fundit. Por nuk ka kilometër më frymëzues se ai. Kur ke arritur aty, kur ke arritur aty në kilometrin e fundit, bota duket e jotja. Ndaj edhe ne në këtë kilometër të ndërmarrim çdo vendim, çdo masë për ripërtëritjen e partisë. Miqtë e mi, Partia Demokratike ka qenë lokomotivë e proceseve integruese dhe i numëruam më parë cilat kanë qenë. Shiko çfarë arritëm ne. Ne, edhe nga izolimi, edhe mbrapa, me dritën e të vërtetës në duar dolëm që opinioni, jo vetëm opinioni publik me media po e po, por edhe opinioni zyrtar ndërkombëtar të ketë një qasje realiste për Shqipërinë. A i patë ju, a i lexuat raportet e Parlamentit Europian dhe të DASH-it? Ato nuk i kemi shkruar ne. Ato i mbajnë të gjithë spektrin europian, por ato janë çështje që i kemi ngritur ne. Ato janë çështje që i kemi mbrojtur ne.
Edhe unë dua t'ju them këtu se ne qëndrojmë gardianë, ne qëndrojmë të pamposhtur në përpjekjen tonë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ylli ynë polar është integrimi europian i Shqipërisë. Por ky integrim, i cili në të cilin një peshë të veçantë të madhe ka faktori gjeopolitik, dhe ne e respektojmë, ai është një realitet, është një faktor natyror. Ky integrim ne besojmë se duhet të bazohet para së gjithash në meritë, në meritë, në meritë. A kërkohet nga Shqipëria dhe vendet që duan të integrohen kushte dhe kërkesa që cenojnë interesat e qytetarëve të këtyre vendeve? Absolutisht jo. Përkundrazi. Kërkohen kushte dhe kërkesa që i bëjnë këta qytetarë më të lirë, sepse kërkohet të respektohen të drejtat e tyre. Që i bëjnë këta qytetarë më të begatë, sepse kërkohet të respektohet liria ekonomike, të funksionojë ekonomia e tregut, të funksionojë ligji.
Të respektohen të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve. Dhe jo me fjalë. Se po të pyesësh këtu, unë i përshëndes raportet që kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. I përshëndes se absolutisht... ju them vetëm një moment, ju lutem. Të kthehemi pak, të shkojmë në Himarë. Të shkojmë në Himarë ditën parazgjedhore bashkiake. Cilat ishin zërat dhe pozat shtazarake të Edi Ramës për të denigruar në shkallë ekstreme Fredi Belerin? A i mbani mend apo jo? Po nuk ka shqiptar që i pranon ato. A mund të pranohen ato? Ti imitosh kafshën për të denigruar një kandidat. Dhe ky... jo ne minoritetet i respektojmë. Çfarë respekton mor? Ti respekton vetëm xhepat e tu dhe të familjes tënde dhe paratë që vjedh me familjen tënde e asgjë tjetër. Ndaj dhe ne, do ta shtojmë në çështje, e kemi pasur yll polar, dhe ju garantoj se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike me përkushtim të madh do të ndërmarrë një seri nismash, me të cilat do të çojnë në ligje të gjitha kërkesat e raporteve të Parlamentit Europian dhe ODIHR-it, në përputhje me interesat e opinionit publik shqiptar.
Dua të përshëndes deputetët e Partisë Demokratike për qëndrimet e tyre. Ju siguroj se ata janë dhe do mbeten zëdhënës të shkëlqyer të interesave tuaja dhe të qytetarëve shqiptarë në Parlament. Të dashur miq, ky Kuvend mbaron sot. Dhe ju nga ky Kuvend, njerëzisht ju lutem, përveç entuziazmit, para së gjithash të merrni mesazhin e tij: Ripërtëritje, ripërtëritje, ripërtëritje! Ky mesazh mbart në vete shpresën e pashuar të shqiptarëve. Shpresa është forcë, forca është shpresë! Rrofshi ju, rroftë Partia Demokratike, rroftë Shqipëria! Fitore, fitore, fitore!