SHKODËR- Detaje të reja kanë dalë nga masakra e Shkodrës që ndodhi mëngjesin e djeshëm, ku u vranë 2 persona dhe 2 të tjerë mbetën të plagosur. Policia nga hetimet ka zbuluar dhe banesën që është përdorur nga autorët si bazë për planifikimin e vrasjes së Erogen Brajovic alias Erogen Vaso.
Në banesën e gjetur nga policia, janë sekuestruar 1 armë zjarri automatikë, 6 pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura, 5 dronë të madhësive të ndryshme, 1 laptop dhe 5 aparate fotografike. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim dhe dy bashkëpunëtorë të Ragip Gilës, një 39-vjeçar me iniciale B.B si dhe një 17-vjeçar.
Shkodër/Vijojnë veprimet hetimore dhe kontrollet, me qëllim dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, ku shtetasi R. G. qëlloi me armë zjarri dhe si pasojë humbën jetën 2 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë. Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas që dyshohet se kishin siguruar armatim, mjete dhe pajisje të tjera për kryerjen e krimeve të rënda ndaj jetës. Zbulohet një banesë në lagjen “Guerrile”, që përdorej nga 2 shtetasit në kërkim, si bazë për aktivitete kriminale. Sekuestrohen 7 armë zjarri, 45 kapsolla detonatore dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 08:50, në një lokal, në lagjen “Qemal Stafa”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër:
-arrestuan në flagrancë shtetasin R. G., 28 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”,”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
U sekuestruan:
-2 armë zjarri (1 automatik dhe 1 pistoletë me fishek në fole), 1 skafandër, 1 maskë, 1 jelek antiplumb dhe 1 shishe 1.5 l e mbushur me lëndë djegëse, që iu gjetën shtetasit R. G., i cili u vu në pranga nga shërbimet e Policisë, pas ngjarjes;
-automjeti që ky shtetas vodhi nën kërcënimin e armës, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe motomjeti pa targë dhe pa numër shasie, që ai la në vendin e ngjarjes.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit B. B. alias B. B., 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, për veprat penale ”Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”. Gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje (e cila jeton jashtë vendit), të cilën këtë shtetas e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminale, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar: 1 armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop dhe 5 aparate fotografike. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e veprimtarive kriminale të tyre. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur Ragip Gila qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Erogen Brajoviç. Nga atentati mbeti i vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi) 31 vjeç, truproja i Erogen Brajoviç. Truproja e Erogen Brajoviç, ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave. Kurse të plagosur mbetën shënjestra e dyshuar, Erogen Brajoviç dhe kamarierja 25-vjeçare e lokalit, Meri Kaceri. Erogen Brajoviç, i cili mori tre plumba, ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë./Dosja.al