ELBASAN- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë vizitës në Elbasan për Ditën e Verës ka zhvilluar edhe një takim me kandidatët demokratë për deputet në këtë qark.
Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij se në 11 maj duhet t’u faktojnë shqiptarëve dhe botës se arritëm me votën e lirë të përmbysin një "diktaturë të dytë".
Gjatë fjalës së tij, ai iu drejtua kandidatëve duke iu thënë se duhet t'i shtrinë dorën çdo opozitari dhe duhet të pranojnë bashkimin në diversitet.
"Së pari, dhe njëherë u uroj gëzuar këtë ditë, ditë që ka frymëzuar dhe frymëzon njeriun, ndërrimin, shpresën, optimizmin.
Ditë në të cilën qytetarët shqiptarë, qytetarët e Elbasanit, presin fillimin e ndryshimit të madh, presin kurorëzimin me sukses të plotë të fitores së 11 majit. Fitore e një rëndësie të pakrahasueshme në tërë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Fitore në të cilën ne duhet t’u faktojmë shqiptarëve dhe botës se arritëm me votën e lirë, me votën tonë, në mënyrë të civilizuar të përmbysim në një hark kohor prej 3 dekadash një diktaturë të dytë.
Një diktaturë, e cila sot ka shndërruar vendin në vendin e të burgosurve politikë, në vendin e persekutimit politik, në vendin e grabitjes me gjykata të mandateve, në vendin e plaçkitjes më të madhe të një kombi në histori. Ngado që t’i analizosh, kur mendon se ky vend në 12 vite, kjo qeveri në 12 vite, ka administruar 65 miliardë euro dhe ka sjellë shqiptarët nga më të mirëpaguarit, në më keqtëpaguarit në rajon. Pra, këto miliarda nuk u përdorën për jetën e qytetarëve, rrogat, pensionet e tyre. Këto miliarda nuk u përdorën për një transformim madhështor të infrastrukturës. Këto miliarda u zhdukën, u vodhën dhe vetëm u vodhën. Këto miliarda u investuan në skemat se si të vidhet më shumë.
E kemi lënë në vitin 2013 me rrugën Tiranë-Elbasan, vepra e vetme më e parë, më e rëndësishme që prisnin qytetarët e Elbasanit për ta gëzuar siç duhet këtë rrugë, ishte bajpasi.Këta dalin dhe shkojnë e investojmë përtej Elbasanit se kështu kërkon klientela e atyre që ndajnë paratë, dhe bajpasin që e ka projektin gati, që ka çdo gjë gati, bajpasi nuk e ndërtojnë, çka u kushton mesatarisht të paktën gjysmë ore më shumë qytetarëve jo vetëm të Elbasanit, por qytetarëve të Shqipërisë juglindore, për të ardhur në Tiranë. Mund të numërojmë shumë, por çfarë do t’u sugjeroja unë ju në këtë përpjekje të jashtëzakonshme. Së pari, do bëni gjithçka të bashkoni çdo fluks opozitar.
Do i shtrini dorën çdo opozitari. Do të pranoni bashkimin në diversitet. Bashkimi në diversitet është prova e tolerancës, është lakmusi për një demokrat, për një njeri që u qëndron vlerave demokratike. Unë u them ju, janë ftuar të gjitha këto partitë, pavarësisht se ka prej tyre që nga mëngjesi deri në darkë flasin Sali Berisha, Sali Berisha. Urdhëroni u thashë unë, mbani atë mendim për Sali Berishën, por hajde të rrëzojmë Edi Ramën. Nuk më prish punë pse e keni atë obsesion. Të largojmë këtë të keqe që po e shaktërron Sqipërimë. Ndaj do të përpiqeni të tërhiqni me vete, do përpiqni të bindni çdo person që do të jetë opozitar dhe e konsideron largimin e Edi Ramës nga pushteti si shpëtimin e Shqipërisë.", tha Berisha.