
Gjino Gjoka
A.L, sot 28 vjeçe, u zhvendos nga Berati në Tiranë kur ishte studente, me ëndrrën për një të ardhme më të mirë. Por dy vite më parë, një aksident i rëndë me makinë i ndryshoi rrënjësisht jetën, duke e detyruar të përdorë karrocë për të lëvizur. Megjithatë, dëshira për të qenë e pavarur dhe për të ndërtuar karrierën e saj mbeti po aq e fortë sa më parë.
Eksperienca e saj e parë në punë ishte në një Call Center në gjuhën spanjolle. Edhe pas aksidentit, ajo u rikthye në të njëjtin vend, duke u përpjekur t’i qëndronte besnike ritmit të përditshëm.“Pas aksidentit nuk isha më në gjendje të shkoja vetëm, kisha nevojë për dikë që të më shoqëronte dhe mungesa e rampave fikse në ndërtesë ndikoi në performancën time,” – rrëfen ajo.“Ndaj pas disa muajsh, u detyrova të largohem” – shton me një ndjenjë zhgënjimi.
A.L. është diplomuar në financë, me një profil të specializuar në analizën e tregut dhe kontabilitet. Edhe pse me një përgatitje të shkëlqyer profesionale dhe me rezultate të larta, ajo ka hasur vështirësi të mëdha në gjetjen e një vendi pune në degën ku ajo ka studiuar.
“Kam aplikuar në disa vende pune në fushën time, por refuzimet janë bërë të zakonshme” – tregon ajo. “Në disa raste, nuk merrja as përgjigje, ndërsa në raste të tjera më thuhej se institucioni përkatës nuk ka ambient të përshtatshëm për mua.”
Punësimi i grave me aftësi të kufizuara ende një sfidë
Sipas ligjit për nxitjen e punësimit, çdo kompani që ka më shumë se 24 punonjës është e detyruar të punësojë edhe persona me aftësi të kufizuara. Por në shumë raste, ky detyrim ose anashkalohet ose nuk zbatohet siç duhet.
Ministria e Financave deklaroi në vitin 2024 se qëllimi ishte të punësoheshin rreth 9 mijë persona me aftësi të kufizuara, rreth 3600 në institucionet publike dhe 5400 në sektorin privat.
Megjithatë, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, rastet konkrete të punësimit janë ende të pakta, sidomos për gratë. Në vitin 2024, rreth 58% e grave morën pjesë në tregun e punës, krahasuar me 70.3% nga burrat. Ndërkohë, 41.9% e grave me aftësi të kufizuara mbeten ekonomikisht joaktive, të cilat përballen me barriera strukturore dhe sociale në gjetjen e një vendi pune. Mungesa e aksesit fizik dhe teknologjik në shumicën e kompanive private dhe institucioneve publike e bën të vështirë që gratë me aftësi të kufizuara të punojnë në mënyrë të barabartë me të tjerët.
Aktivistja Adivije Hoxha, thotë se mungesa e aksesit, kufizon jo vetëm punësimin, por edhe shërbimet dhe mundësitë e zhvillimit profesional.
“Që te integrosh një grua me aftësi të kuzuar së pari duhet t’i krijohen disa mundësi: së pari akses fizik, së dyti për t’u formuar profesionalisht dhe së treti t’i jepet vlersimi për atë që është dhe jo për atë që duket.”- shprehet ajo.
Sipas aktivistes, gratë me aftësi të kufizuara përballen me më shumë vështirësi për t’u punësuar, për shkak të stigmës dhe mentalitetit që mbizotëron ende në shoqëri. Ato paragjykohen për pamjen e jashtme, dhe jo për aftësitë që kanë.
“Vështirësitë nisin që në arsimim, formim profesional dhe akademik, ku shpesh ka munguar mbështetja e duhur nga institucionet përkatëse” – thekson ajo.
Zgjidhjet alternative dhe modeli i punësimit online
Përballë barrierave të shumta në tregun e punës, shumë gra me aftësi të kufizuara përballen me sfida të vazhdueshme për të gjetur një mundësi punësimi të denjë. Rasti i A.L, vajzës 28-vjeçare nga Berati, është një nga shembujt që pasqyron këtë realitet. Megjithatë, ajo nuk hoqi dorë dhe sot punon online nga shtëpia për një kompani në fushën e Forex-it, ku ka arritur të ndërtojë një biznes të vetin dhe të zhvillojë karrierën e saj.
Punësimi online po shfaqet si një rrugë gjithnjë e më e rëndësishme drejt pavarësisë ekonomike për gratë me aftësi të kufizuara, duke anashkaluar barrierat fizike dhe duke u dhënë atyre një mundësi reale për zhvillim profesional. Ky model jo vetëm që sfidon stereotipet dhe përjashtimin, por edhe ofron një mënyrë konkrete për të ndërtuar të ardhura, karrierë dhe stabilitet.
Modele të suksesshme të integrimit ekzistojnë edhe në rajon. Në Kosovë, për shembull, funksionon një skemë e strukturuar për vlerësimin e aftësisë për punë dhe riaftësimin profesional. Personat me aftësi të kufizuara regjistrohen si punëkërkues në Zyrat e Punësimit online dhe përfshihen në një proces të udhëhequr nga Qendra për Aftësimin dhe Riaftësimin Profesional të Kosovës. Ata i nënshtrohen vlerësimit nga Komisioni Mediko-Social, që analizon aftësinë për punë dhe mundësitë për punësim, si dhe mbajtjen e një pozicioni të caktuar.
Në Shqiëpri, përveç barrierave fizike dhe sociale, mungesa e njohjes së ligjit dhe të drejtave të personave me aftësi të kufizuara është një faktor që kontribuon në shumë rast në papunësinë e tyre.
Ndaj, përballë sfidave të vazhdueshme në tregun tradicional të punës, gratë me aftësi të kufizuara, sikurse dhe rasti i A.L, po gjejnë një rrugë alternative drejt pavarësisë ekonomike, përmes punësimit online. Kjo është një alternativë, e cila i ndihmon ato të kenë mundësi punësimi, ku pengesat fizike nuk përcaktojnë më mundësitë profesionale