TIRANË- Dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimeve janë rritur ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti, sidomos për shkak të produkteve të lidhura me sigurimin e pronës.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për tremujorin janar-mars, kompanitë e sigurimeve paguan 2.15 miliardë lekë dëme, në rritje me 11.8% krahasuar me një vit më parë. Rritja e dëmeve të paguara erdhi e gjitha nga tregu i sigurimeve të Jo-Jetës, ku dëmet u zgjeruan me 16.3%.
Efektin kryesor e ka dhënë rritja e fortë e dëmeve nga kontratat e sigurimit të pronës. Siguruesit kanë paguar 274 milionë lekë dëme të lidhura me produktin e sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës. Dëmet në këtë klasë janë rritur me 266% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ato përbënin 13.7% të vlerës totale të dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit, nga 4.4% që kishte qenë pesha e tyre specifike një vit më parë. Rritja e fortë e vlerës së dëmeve të paguara mund të shpjegohet me përmbytjet që prekën vendin mes fundit të vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti.
Megjithëse vlerësohet se mbulimi me sigurime nga fatkeqësitë natyrore ngelet i ulët, dëmet e shkaktuara nga zjarri dhe katastrofat në përgjithësi sjellin dëme në vlera të mëdha, pavarësisht se numri i rasteve mund të jetë i ulët. Kështu, numri total i dëmeve në pronë për 3-mujorin ishte 99, nga 78 që kishte qenë një vit më parë, ne një rritje prej 26%. Por, në vlerë rritja ka rezultuar shumë më e lartë.
Dëmet janë rritur edhe në grupin kryesor të produkteve të tregut, sigurimet e detyrueshme motorike, por në një amsë më të ulët. Kompanitë paguan 1.28 miliardë lekë dëme në këtë grup produktet, 6.1% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritja erdhi e gjitha nga sigurimi i brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (TPL). Dëmet në këtë produkt u rritën me 8.1% krahasuar me një vit më parë.
Që nga fillimi i këtij viti, ka hyrë në fuqi sistemi bonus-malus në përcaktimin e primit të sigurimit për këtë produkt. Ky sistem parashikon prime më të larta për drejtuesit e mjeteve që shkaktojnë dëme dhe më të ulëta për drejtuesit që nuk kanë shkaktuar dëme. Qëllimi i sistemit është të nxisë dhe incentivojë sjelljen e kujdesshme në drejtimin e mjeteve. Megjithatë, efektet e aplikimit ngelen për t’u parë, të shtrira më gjatë në kohë.
Ndërkohë, në këtë fillim viti dëmet nga produktet e tjera të sigurimit motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, Kartoni Jeshil dhe Polica Kufitare, paraqiten në rënie.
Sigurimet e detyrueshme motorike vazhdojnë të dominojnë strukturën e dëmeve në sigurime, por pesha e tyre ka rënë këtë tremujor në 63.9%, nga më shumë se 70% që kishte qenë një vit më parë. Ndërkohë, në tregun më të vogël, të sigurimit të Jetës, dëmet për tremujorin pësuan rënie me 4.6% krahasuar me një vit më parë./MONITOR