RUSI- Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha të hënën se riarmatimi i NATO-s nuk është një kërcënim për Rusinë, sepse vendi i tij ka aftësitë mbrojtëse të nevojshme për t'u përballur me të, pas më shumë se tre vitesh lufte në Ukrainë që e kanë militarizuar shtetin rus. Presidenti rus shprehu gjithashtu kënaqësinë që ushtria e tij po bën përparime çdo ditë në vijën e frontit.
Aleanca Atlantike, e cila do të mbajë një samit javën e ardhshme në Hagë të Holandës, po i shtyn anëtarët e saj të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes, ndërsa konflikti në Ukrainë, i cili filloi me sulmin e Rusisë në vitin 2022 ndaj fqinjit të saj, vazhdon.
Putini tha se ata nuk do ta konsiderojmë asnjë riarmatim të NATO-s si një kërcënim për Federatën Ruse, sepse sipas tij janë të vetëmjaftueshëm në aspektin e sigurisë.
"Ne do t'i përmirësojmë vazhdimisht forcat tona të armatosura dhe aftësitë tona mbrojtëse", tha ai gjatë një bisede në Shën Petersburg me përfaqësues të agjencive të huaja të lajmeve, përfshirë Agence France-Presse.
Një rritje e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet anëtare të NATO-s në 5% të PBB-së së tyre do të krijonte sfida specifike për Rusinë, pranoi Vladimir Putin, por vlerësoi se kjo rritje e shpenzimeve nuk ka kuptim për vetë anëtarët e aleancës.
"Ne do të përballemi me të gjitha kërcënimet që do të lindin. Nuk ka dyshim për këtë", theksoi ai.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka ftuar Vladimir Putinin të takohet personalisht për të gjetur një zgjidhje për konfliktin, një opsion që presidenti rus e hedh poshtë, si dhe kërkesat e Kievit për një armëpushim pa kushte. Por Putin tha sot se është i hapur për një samit të tillë, por vetëm si pjesë e fazës përfundimtare të negociatave.
"Unë jam madje i gatshëm të takohem (me Zelenskyn), por vetëm nëse është faza përfundimtare e bisedimeve", u tha presidenti rus agjencive të huaja të lajmeve. Megjithatë, ai përsëri vuri në pikëpyetje legjitimitetin e udhëheqësit ukrainas, mandati presidencial i të cilit përfundon zyrtarisht në maj 2024. Kievi nuk ka mundur të mbajë zgjedhje presidenciale për shkak të ofensivës ruse dhe vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme.
Putin tha gjithashtu se duhet të gjendet një zgjidhje që jo vetëm do t’i japë fund konfliktit aktual, por edhe do të krijojë kushtet e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla në planin afatgjatë.