GAZA- Gjendja në Gaza për shkak të luftës dhe urisë ka nxjerrë në pah histori të trishta sesi fëmijë dhe të rinj humbin jetën në mënyrë mizore. Raste të fëmijëve që luajnë dhe sulmohen për vdekje tashmë janë bërë skena që përfaqësojnë jetën e shumë personave në Gaza që mbijetojnë me frikë nesë do vdesin në duart e armiqve apo nga uria.
Uria tashmë është bërë një tjetër armike e pabesë e cila po i merr frymën shumë të rinjve. Teksa shkojnë të marrin ushqim për vete dhe familjarët shumë persona kanë vdekur. Vdekjet kanë ardhur nga kequshqyerja por ka patur raste se edhe nga të shtënat që regjistrohen në pikat ku shpërndahet ushqimi.
Rastet më të fundit janë të një adoleshenti, një vajzë tetëvjeçare dhe një burrë që duroi muaj të tërë kequshqyerjeje. Ata humbën jetën në Gaza javën e kaluar. Të enjten, ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi regjistroi dy vdekje të reja për shkak të kequshqyerjes në 24 orët e fundit, ndërsa agjencitë e ndihmës paralajmëruan se rrethimi i Gazës nga Izraeli po shkaktonte "uri masive" që të përhapej në të gjithë territorin.
19-vjeçari Abdullah Omar Jendeia u vra të dielën, më 20 korrik, kur doli për të kërkuar ushqim. Motra e tij Nadreen tha se vëllai i saj mezi po priste të shkonte e të merrte ushqim.
"I thashë: 'Ha vetëm ato pak thjerrëza që na kanë mbetur', por ai refuzoi", tha ajo.
Njëri nga vëllezërit, Mahmoud, e telefonoi Nadreenin për t’i thënë se, ndërsa po prisnin pranë kamionit të ndihmave, ushtarët izraelitë papritmas kishin hapur zjarr mbi ta. Mahmoud i tha Nadreenit se Abdullahu ishte vrarë dhe ai dhe vëllai tjetër ishin plagosur.
Edhe Sela Mahmoud, tetë vjeç, u vra në orët e para të mëngjesit të së martës. Nëna e saj Alaa Shehada tha se ajo dhe vajza e saj 13-vjeçare u nisën për në pikën e ndihmës Zikim, disa kilometra larg, për të marrë ushqim, duke lënë pas tre fëmijët e tjerë. Por rreth orës 01:45 ajo dëgjoi zhurmën që mendoi se ishte granatim në distancë dhe menjëherë u frikësua nga më e keqja.
"E ndjeva goditjen në zemër. Intuita ime si nënë më tha se kjo goditje arriti te fëmijët e mi." tha ajo.
Dy fëmijët e tjerë mbijetuan, por u plagosën rëndë dhe ndodhen në Spitalin al-Shifa të Gazës. Ahmed Alhasant, 41 vjeç ishte viktima tjetër i cili vdiq më 22 korrik. Vëllai i tij, Yehia Alhasant, tha se kequshqyerja e vrau ditë pas dite dhe se ai po përkeqësohej gjithnjë e më shumë.
Yehia thotë se vëllai i tij filloi të sëmurej pasi Izraeli vendosi një bllokadë ndihmash në Gaza në mars. Që nga maji, Izraeli ka lejuar disa ndihma në territor, por grupet e ndihmës thonë se kjo nuk është aspak e mjaftueshme.
Për tre muaj, Ahmedi, i cili ishte gjithashtu diabetik, nuk ishte në gjendje të merrte ushqim ose pije të mjaftueshme, duke u mbështetur në copa buke dhe herë pas here në ushqim të konservuar. Si rezultat, pesha e tij ra nga 80 kg në 35 kg dhe shëndeti i tij u përkeqësua me shpejtësi, thotë Yehia.
Mohamed Kullab, 29 vjeç, u vra në një sulm ajror më 22 korrik. Amar Ragaida tha se Mohamed po pushonte në tendën e tij në një kamp për palestinezët e zhvendosur në zonën al-Qadesiya të Khan Younis perëndimor,kur një sulm ajror goditi zonën..
"Ai ishte vetëm. Dëgjuam se u vra disa orë pas bombardimit kur disa njerëz i telefonuan motrës së tij dhe e informuan për vdekjen e tij", thotë Amar.