
MBRETËRIA E BASHKUAR- Favoriti kryesor për të zënë postin e Keir Starmer pas dorëheqjes është Andy Burnham. Starmer ka njoftuar se nominimet për pasardhësin e tij do të hapen pas dy javësh. Wes Streeting ka deklaruar më parë se do të kandidonte.
Sipas BBC, interesant është fakti se disa nga aleatët e tij kanë pranuar gjithashtu se ai mund të mos e bëjë këtë. Afati aktual lë të hapur mundësinë që dikush tjetër të hyjë në garë, pavarësisht se shumica dërrmuese e parashikimeve janë se Andy Burnham do të bëhet së shpejti kryeministër.
Cilët janë kandidatët për postin e rëndësishëm?
Deputeti i Makerfield dhe ish-kryetari i Greater Manchester gëzon popullaritet të madh mes deputetëve laburistë, ndërsa sondazhet tregojnë se ai është politikani më i pëlqyer i Partisë Laburiste.
Andy Burnham u rrit në Aintree, në Merseyside, dhe e paraqet veten si një kandidat të krahut të majtë të partisë. Ai thotë se u frymëzua t’i bashkohej Laburistëve nga greva e minatorëve në vitet 1980.
Ai ishte deputet për zonën e Leigh nga viti 2001 deri në vitin 2017 dhe shërbeu në qeveritë e Tony Blair dhe Gordon Broën, duke e bërë një nga kandidatët më me përvojë në garë.
Wes Streeting dha dorëheqjen nga kabineti i Starmer në maj, duke deklaruar se aty ku na duhet një vizion, ka një boshllëk. Si sekretar i Shëndetësisë që nga viti 2024, ai konsiderohej si një nga komunikuesit më të aftë të kabinetit.
Në kujtimet e tij të botuara në vitin 2023, ai shkroi për rininë e kaluar në një banesë sociale në East End të Londrës, për vizitat te gjyshi i tij që vuante dënimin në burg për grabitje banke dhe për rritjen e tij si një i krishterë homoseksual.
Ai perceptohet si pjesë e krahut të djathtë të partisë, gjë që mund ta bëjë më pak të pëlqyer mes anëtarëve të saj, por gëzon mbështetje të fortë nga deputetët laburistë.
Angela Rayner u rrit në varfëri dhe e la shkollën në moshën 16-vjeçare pa asnjë kualifikim, por për një periudhë ishte gruaja më e fuqishme në politikën britanike. Ajo dha dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministres, zëvendësdrejtuese e Partisë Laburiste dhe sekretare e Strehimit në vitin 2025, pasi pranoi se nuk kishte paguar mjaftueshëm taksa.
E njohur për mbështetjen që gëzon në krahun e majtë të partisë, ajo thotë se tani është shpallur e pafajshme për çdo shkelje nga autoriteti tatimor britanik, duke lënë të hapur mundësinë e një fushate për drejtimin e partisë.