
Presidenti i Komitetit Olimpik Polak, Radoslaw Piesiewicz, është arrestuar nga autoritetet polake në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe dyshime për përfitime të paligjshme të lidhura me sektorin e kriptomonedhave. Sipas autoriteteve, Piesiewicz dyshohet se ka marrë ryshfet nga drejtues të kompanisë së kriptomonedhave Zondacrypto, në këmbim të marrëveshjeve sponsorizuese me Komitetin Olimpik Polak.
Hetimi ndaj tij nisi në muajin prill dhe prej atëherë çështja ka shkaktuar përplasje të forta në botën sportive polake. Shumica e federatave sportive të vendit kishin kërkuar dorëheqjen e Piesiewicz nga drejtimi i Komitetit Olimpik. Arrestimin e tij e konfirmoi edhe ministri i Sportit i Polonisë, Jakub Rudnicki, i cili e akuzoi atë se kishte dëmtuar rëndë imazhin e lëvizjes olimpike në vend.
Radosław Piesiewicz, prezes Polskiego Komitetu Olimpijskiego, został doprowadzony do prokuratury, gdzie zostanie przesłuchany i usłyszy zarzuty. pic.twitter.com/xY3inTNEHa
— tvp.info ???????? (@tvp_info) August 27, 2026
Piesiewicz, i konsideruar si një bashkëpunëtor i afërt i krahut nacionalist të së djathtës polake, dyshohet se ishte përgjegjës për një marrëveshje sponsorizimi mes Komitetit Olimpik dhe Zondacrypto. Marrëveshja parashikonte, ndër të tjera, shpërblime në kriptomonedha për kampionët olimpikë të Polonisë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina.
Hetimi është zgjeruar edhe për aktivitetin e Zondacrypto-s, kompani e cila tashmë ka ndërprerë aktivitetin. Autoritetet polake vlerësojnë se kolapsi i saj shkaktoi humbje prej rreth 350 milionë zloty, ose afërsisht 80 milionë euro, ndërsa rreth 30 mijë persona dyshohet se janë prekur nga aktiviteti i saj. Ministri i Brendshëm Marcin Kierwiński e ka cilësuar çështjen si një shembull të korrupsionit të rëndë në sportin polak, ndërsa autoritetet kanë ngritur dyshime se Zondacrypto mund të ketë funksionuar si një skemë Ponzi.
Në kuadër të hetimit janë ngritur gjithashtu pikëpyetje për një orë me vlerë rreth 40 mijë euro, që raportohet se Piesiewicz e ka marrë nga Przemyslaw Kral, një prej drejtuesve të kompanisë. Presidenti i Komitetit Olimpik ka mohuar se ora ka qenë dhuratë, duke deklaruar se e ka blerë me paratë e tij.
Kral, ndërkohë, raportohet se po bashkëpunon me prokurorët në këmbim të mundësisë për një trajtim më të favorshëm në procesin gjyqësor. Hetimi për Zondacrypto nuk kufizohet vetëm te drejtuesit e Komitetit Olimpik. Prokurorët po shqyrtojnë edhe lidhje të kompanisë me figura politike dhe struktura mediatike të krahut nacionalist në Poloni, ndërsa në dosje janë përfshirë disa emra të tjerë.
Sipas autoriteteve polake, çështja është ende nën hetim dhe arrestimi i Piesiewicz nuk përbën një përfundim mbi fajësinë e tij.