
Autopsitë e kryera mbi trupat e disa prej viktimave italiane të tragjedisë në Crans-Montana kanë nxjerrë në pah elementë të rinj që forcojnë dyshimet se disa prej të rinjve mund të kishin pasur mundësi shpëtimi nëse nuk do të ishin bllokuar nga kushtet brenda ambientit ku shpërtheu zjarri. Sipas të dhënave mjeko-ligjore, viktimat nuk rezultojnë të kenë konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli dhe në momentin kur flakët përfshinë diskotekën “Le Constellation”, ata kanë qenë të vetëdijshëm dhe fizikisht të aftë për t’u larguar. Megjithatë, hetuesit theksojnë se dalja e emergjencës e mbyllur ka bërë të pamundur evakuimin.
Raporti përfshin analizat e kryera mbi trupat e disa viktimave, mes tyre Achille Barosi, Chiara Costanzo, Giovanni Tamburi, Riccardo Minghetti, Sofia Prosperi dhe Emanuele Galeppini. Tragjedia, e ndodhur natën mes 31 dhjetorit dhe 1 janarit, shkaktoi 41 viktima dhe 115 të plagosur, mes tyre edhe shtetas italianë. Dokumentet mjeko-ligjore pritet t’i dorëzohen prokurorit Stefano Opilio në Romë, i cili po zhvillon hetime paralele me autoritetet zvicerane.
Në Itali, hetimet ndaj pronarëve të lokalit, Jacques dhe Jessica Moretti, janë zgjeruar për akuza që përfshijnë vrasje nga pakujdesia në rrethana të shumëfishta, dëmtime trupore dhe zjarrvënie nga pakujdesia. Ndërkohë, autoritetet zvicerane po shqyrtojnë një procedim më të gjerë me disa të dyshuar.
Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmon se shkaku kryesor i vdekjes ka qenë asfiksia nga monoksidi i karbonit dhe djegiet e rënda.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se fillimisht janë kryer vetëm disa autopsi, ndërsa pjesa tjetër e trupave është ekzaminuar më vonë, në disa raste pas kërkesave për zhvarrim nga familjarët. Në disa certifikata vdekjeje nuk ishte përcaktuar qartë shkaku i humbjes së jetës, duke krijuar vakum në dokumentacionin zyrtar.
Në Itali po hetohet edhe një linjë e re që lidhet me dyshime për dokumente të falsifikuara mbi materialet akustike të përdorura në ambientin e lokalit, të cilat sipas prokurorisë mund të kenë ndikuar në përhapjen e flakëve pasi u ndezën nga elementë piroteknikë gjatë aktivitetit.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu komunikime të brendshme të lidhura me organizimin e shfaqjeve me fishekzjarrë në ambient të mbyllur, ku sipas dosjes hetimore është diskutuar edhe rreziku i materialeve të përdorura.
Avokatët e familjeve të viktimave po kërkojnë rëndim të akuzave, duke përfshirë edhe “vrasje me dashje eventuale”, e cila mund të sjellë dënime dukshëm më të ashpra.