ANGLI- Burime nga prokuroria e Lezhës treguan për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, se disa ditë më parë prokurori i çështjes Arben Nika, ka zhvilluar një bisedë me prokurorin anglez që përfaqëson shtetin shqiptarë në procesin e ekstradimit të Edmond Haxhisë dhe katër britanikëve.
Mes tyre është dakordësuar vazhdimi betejës ligjore duke aplikuar për leje për të apeluar në Gjykatën Supremte të Anglisë pas vendimit të Gjykatës së Lartë nga ku gjyqtari Mr. Justice Swift, frenoi ekstradimin për një gabim në firmosjen e urdhrave të ekstradimit nga ish sekretarja e shtetit Ivete Cooper.
Crown Prosecution Service prokuroria angleze dha këtë koment për Top Channel.
“Gjykata e Lartë ka rrëzuar ekstradimin e pesë personave të kërkuar nga Shqipëria në lidhje me vrasjen e Ardian Nikulajt në vitin 2023. CPS po vepron në emër të autoriteteve shqiptare dhe ka njoftuar gjykatën për synimin për të kërkuar leje për apelim në Gjykatën Supreme.
Është paraqitur njoftim për synimin për të kërkuar leje për apelim në Gjykatën Supreme sipas nenit 114 të Aktit të Ekstradimit 2003″.
Ndërkohë nëse Gjykata Supreme nuk do të japë leje për të apeluar atëherë Ministria e Drejtësisë përmes Drejtorisë me Marrëdhëniet me jashtë do ti dërgojë Londrës një kërkesë ekstradimi të rifreskuar.
Kjo kërkesë do të bashkëshoqërohet me garancitë e prokurorit Arben Nika se Edmond Haxhia nuk do të akuzohet për vrasje për gjakmarrje por për vrasje me paramendim në bashkëpunim.
Një garanci e ngjashme u firmos nga ish ministri drejtësisë Ulsi Manja dhe do të duhet kësaj here të marrë firmën e ministrit Toni Gogu.
Top Channel mëson se në bashkëbisedimin mes prokurorit Nika dhe homologut britanik është diskutuar edhe mundësia e lëshimit nga Shqipëria të urdhrave të ri të arrestit për Haxhinë dhe katër britanikët.
Por është konkluduar se kjo është e pamundur pasi njëherë Gjykata Lezhë i ka lëshuar urdhër arrestet për të pestën dhe sipas legjislacionit shqiptarë kjo nuk mund të ndodhë për të dytë herë.
Edmond Haxhia nën akuzë si organizator i vrasjes së Ardian Nikulajt bashkë me grupin e vëzhgimit përbërë nga Thomas Mithan, Harry Simpson dbe Steven Hunt do të vijojnë të qëndrojnë në paraburgimin Wandsworth të Londrës. Ndërsa Harriet Bridgeman e lirë me kusht./Top-Channel