TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas seancës së djeshme në Administrative. Në një postim në rrjete sociale, Veliaj thekson se u evidentuan disa zhvillime shqetësuese për standardet e shtetit të së drejtës dhe transparencës së drejtësisë në Shqipëri.
Sipas kryebashkiakut, edhe pse mediat kishin nisur transmetimin e seancës, gjykata vendosi ndalimin e transmetimit live dhe largimin e kamerave nga salla, duke iu referuar një udhëzimi administrativ të KLGJ. Veliaj e cilësoi këtë vendim në kundërshtim me standardet kushtetuese për transparencën e gjykimit.
“Të nderuar përfaqësues të medias,
Gjatë seancës së djeshme në procesin administrativ me paditës Erion Veliaj dhe të paditur Ols Dado etj, u evidentuan disa zhvillime shqetësuese për standardet e shtetit të së drejtës dhe transparencës së drejtësisë në Shqipëri.
Edhe pse mediat kishin instaluar kamerat dhe transmetimi kishte nisur, gjykata vendosi ndalimin e transmetimit live të seancës dhe nxjerrjen e kamerave jashtë sallës, duke u mbështetur në një udhëzim administrativ të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në kundërshtim me standardin kushtetues për transparencën e gjykimit.
Kundër pranisë së kamerave u pozicionuan dy subjekte të shtetit shqiptar: I padituri Ols Dado dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Argumenti i paraqitur nga i padituri Dado ishte se transmetimi live mund të dëmtonte imazhin dhe karrierën e magjistratit, pasi akti i emërimit është një akt individual. Ky argument shpjegon pikërisht pse transparenca është e domosdoshme. Në një shtet demokratik, karriera e një prokurori nuk mbrohet duke shmangur kontrollin publik mbi ligjshmërinë e mandatit të tij, por duke provuar publikisht se ai mandat është fituar në përputhje me ligjin. Një mandat i ligjshëm nuk ka frikë nga kamerat dhe një proces i drejtë nuk ka frikë nga publiku.
Gjatë gjykimit u evidentua gjithashtu një harmoni shqetësuese institucionale ndërmjet qëndrimeve të dy të paditurve Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atyre të Ols Dados. Nga vetë provat e paraqitura nga përfaqësuesja e KLP rezultoi se ky institucion nuk ka marrë asnjëherë një vendim kolegjial mbi çështjet e ngritura nga Erion Veliaj. Përkundrazi, sipas sa rezultoi në seancë, nënkryetari i institucionit ka penguar dërgimin e çështjes për shqyrtim në organin kolegjial dhe ndërkohë, janë krijuar përshtypje publike sikur ekziston një vendimmarrje e KLP-së, kur në fakt një e tillë nuk rezulton të jetë marrë.
Po ashtu, iu bë me dije gjykatës se përfaqësuesja e KLP kishte tejkaluar objektin e autorizimit institucional, duke mbajtur qëndrime për çështje mbi të cilat institucioni që ajo përfaqëson nuk është shprehur kurrë. Të gjitha këto fakte iu parashtruan gjykatës, përfshirë elementë që ngrenë dyshime serioze për paligjshmëri të rënda institucionale. Fatkeqësisht, nuk pati asnjë reagim.
Megjithatë, një gjë u bë e qartë për çdo person të pranishëm në sallë: kush kërkonte transparencë dhe shqyrtim me themel të së vërtetës, dhe kush kërkonte errësirë dhe mbyllje sa më të shpejtë të çështjes.
Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar: askush nuk bëhet prokuror i Republikës së Shqipërisë përmes heshtjes institucionale, kalimit të kohës apo shmangies së kontrollit publik dhe gjyqësor. Nëse kriteret ligjore nuk janë përmbushur, pavlefshmëria absolute nuk shërohet me kalimin e viteve.
Ne do të vazhdojmë të kërkojmë deri në fund verifikimin e plotë të ligjshmërisë së ushtrimit të këtij pushteti, sepse bëhet fjalë jo vetëm për një proces konkret, por për vetë besueshmërinë e shtetit të së drejtës dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”., u shpreh Veliaj./Dosja.al
Për çfarë akuzohet Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.