Në një reagim për situatën e rëndë të zjarreve në Himarë, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, akuzon Bashkinë e Himarës për mungesë vullneti politik në përdorimin e fondeve publike për mbrojtjen e qytetarëve.
Zhupa thekson se, pavarësisht buxhetit të lartë të bashkisë dhe tenderave që, sipas saj, këtë vit kapin mbi 130 milionë euro, shërbimi zjarrfikës vijon të mos ketë kapacitetet e nevojshme për ndërhyrje të menjëhershme.
Ajo kërkon që Bashkia e Himarës të krijojë urgjentisht një fond të posaçëm dëmshpërblimi për banorët e prekur nga zjarri, duke argumentuar se paratë publike duhet të shërbejnë për qytetarët dhe jo për fasada e projekte dytësore.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Zjarri në Himarë nxori në pah një të vërtetë që nuk mund të fshihet më pas propagandës Bashkia e Himarës nuk ka vullnet politik për t’i çuar paratë aty ku i shërbejnë dhe mbrohet qytetari.
Himara është mbushur me beton, ndërsa arka e Bashkisë mbushur me miliona euro. Gjithë këto miliona euro vijnë edhe nga dhurimi i tokave publike për investitorët strategjikë. Bashkia e Himarës ka një buxhet rreth 10 mijë euro për frymë, ndërsa vetë Tirana, qyteti më i madh dhe fuqia kryesore ekonomike e vendit, ka më pak se 1 mijë euro për frymë. Vetëm në një vit jane për mbi 130 milionë euro tendera nga Vangjel Tavo.
Me këto para, Himara duhet të kishte një shërbim zjarrfikës model, me mjete, pajisje, personel dhe kapacitet për të ndërhyrë menjëherë sapo nis zjarri. Jo të presë me orë, derisa flakët të marrin përmasa që tejkalojnë çdo kapacitet lokal.
Kur paratë publike shkojnë për fasada, projekte dhe tendera zbukurimesh dhe nuk shkojnë në shërbimet që mbrojnë jetën dhe pronën, atëherë pasojat i paguan qytetari.
Qytetari paguan me shtëpinë që i digjet. Me tokën që humbet. Me biznesin që shkatërrohet. Me kursimet e një jete që zhduken brenda pak orësh.
I bej thirrje Bashkisë Himarë, të marrë urgjentisht vendim për një fond të posaçëm dëmshpërblimi për banorët e prekur nga zjarri, me vlerësim real të dëmit dhe pagesë të shpejtë sepse ka gjithë kapacitetet financiare.
Banorët nuk kanë humbur thjesht hektar të djegur. Kanë humbur pronën, shtëpinë, punën, kursimet dhe mundin e një jete. Paratë publike duhet të jenë për qytetarët, ata nuk mund të lihen të braktisur përballë këtyre humbjeve të mëdha.