
Vrasja e Viktor Bardhit në fshatin Ndërfushas ka rikthyer në vëmendje sagën e gjatë të përplasjeve dhe hakmarrjeve që prej vitesh kanë tronditur Mirditën. Viktima e sotme është vëllai i Martin Bardhit, i ekzekutuar në Rrëshen në vitin 2023, ndërsa historia e përplasjeve në zonë përfshin disa familje dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera ndër vite, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Përplasjet mes familjeve Bardhi, Reçi dhe Gjini kanë prodhuar një zinxhir ngjarjesh të rënda kriminale, ku viktima janë shënuar si në Rrëshen, ashtu edhe në vende të tjera të Europës. Vrasja e sotme e Viktor Bardhit rikthen pikërisht këtë histori në vëmendjen e autoriteteve dhe opinionit publik. Ende nuk dihet motivi i krimit dhe nuk ka një konfirmim zyrtar se ngjarja lidhet me konfliktet e së shkuarës, por hetuesit pritet të verifikojnë edhe këtë pistë, duke marrë në konsideratë historikun e përplasjeve në zonë.
Një nga episodet më të bujshme ishte vrasja e Martin Bardhit në shtator 2023. Ai u qëllua me armë zjarri teksa ndodhej në lokalin e tij në Rrëshen. Nga atentati mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë. Vrasja e Martin Bardhit u trajtua gjerësisht edhe nga emisioni “Në Shënjestër”, ku u zbardhën detaje nga dosja hetimore dhe historia e përplasjeve mes familjeve. Në hetim u morën në konsideratë edhe dyshimet për një konflikt të hershëm dhe hakmarrje të ndërsjellë.
Por saga e gjakderdhjes në Mirditë kishte nisur shumë më herët. BalkanWeb sjell si më poshtë sagën e hakmarrjes mes tre fiseve.
Më 9 shtator 2016, Saimir Jaku, drejtues i linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE, u qëllua për vdekje në një lokal në Rrëshen. Dy persona të armatosur hapën zjarr me kallashnikov ndaj tij, ndërsa një person tjetër mbeti i plagosur. Ngjarja u konsiderua një prej episodeve që do të pasohej nga një seri atentatesh të tjera.
2017 – Ekzekutimi i Gasper Reçit në Romë
Më 28 prill 2017, Gasper Reçi, 43 vjeç, nga Rrësheni, u ekzekutua me armë zjarri në banesën e tij në Tor Vergata të Romës. Ai u qëllua me katër plumba dhe humbi jetën në vend. Në banesë ndodhej edhe vajza e tij. Hetimet italiane nuk arritën në atë kohë të identifikonin autorët. Vrasja u dyshua se mund të ishte pjesë e zinxhirit të hakmarrjeve që kishte nisur pas vrasjes së Saimir Jakut.
2017 – Kreshnik Gjini vritet në Belgjikë
Pak muaj më vonë, më 6 shtator 2017, Kreshnik Gjini, 31 vjeç, u ekzekutua në komunën Forest të Belgjikës. Dy persona të maskuar e qëlluan me armë zjarri teksa ai po hynte në automjetin e tij. Ngjarja ndodhi në sy të koleges me të cilën kishte qenë duke punuar.
Në atë kohë u ngritën dyshime se vrasja e Gjinit mund të kishte qenë hakmarrje për ekzekutimin e Gasper Reçit në Romë.
Në gusht të vitit 2019, Armando Gjini u ekzekutua me armë zjarri në qendër të Rrëshenit. Ai ishte i njohur për lidhjet e tij me botën kriminale dhe ishte përmendur si pjesë e grupit të Met Kananit. Vrasja e tij u konsiderua një tjetër episod i zinxhirit të përplasjeve që kishte përfshirë prej vitesh familje të ndryshme të zonës.
2020 – Ekzekutohet Kastriot Reçi
Më 7 janar 2020, Kastriot Reçi, 47 vjeç, u vra pranë lokalit të tij në qendër të Rrëshenit. Ai u qëllua nga distanca, ndërsa po lëvizte në këmbë. Reçi ishte pronar i një televizioni lokal në Mirditë dhe vrasja e tij u konsiderua një tjetër goditje e rëndë në sagën e përplasjeve mes familjeve.
2020 – Atentati ndaj Preng Gjinit
Në shtator 2020, Preng Gjini u plagos rëndë në një atentat me eksploziv në Tiranë. Ngjarja ndodhi në një zonë të populluar të kryeqytetit dhe u konsiderua në atë kohë si pjesë e një serie hakmarrjesh që lidhej me konfliktet e nisura në Mirditë.
2023 – Martin Bardhi
Në shtator 2023, radha ishte e Martin Bardhit, i njohur edhe si Marjan Marku. Ai sapo ishte liruar nga qelia kur u ul në lokalin e tij në Rrëshen. Një automjet i dyshuar se përdorej nga autorët ishte parë disa herë në zonën pranë lokalit. Më pas, autorët hapën zjarr me armë automatike. Martin Bardhi u vra në vend, ndërsa tre persona të tjerë që ndodheshin me të mbetën të plagosur.
Makina e dyshuar si e autorëve u gjet më vonë e djegur në fshatin Gëziq.
2026 – Vritet Viktor Bardhi
Dhe sot, historia shënon një tjetër viktimë. Viktor Bardhi, vëllai i Martin Bardhit, është vrarë me armë zjarri në Ndërfushas.
Ende nuk ka të dhëna zyrtare që të përcaktojnë motivin apo autorët e krimit. Megjithatë, vrasja e tij rikthen në vëmendje historinë e gjatë të konflikteve mes familjeve Bardhi, Reçi dhe Gjini, një sagë ku atentatet kanë ndodhur jo vetëm në Rrëshen, por edhe në Itali, Belgjikë dhe Tiranë. Tashmë mbetet për t’u parë nëse vrasja e sotme do të jetë një tjetër kapitull i kësaj historie të përgjakshme apo një ngjarje me një tjetër motiv. Policia vijon hetimet në terren për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.