TIRANË- "Shkak dyshohet konflikti me autorët për drogë në Gjermani", Policia: Dy të shpallurit në kërkim, vëllezër të një prej autorëve të arrestuar! Ja akuzat që bien ndaj tyre
"Konkretisht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e drejtorive vendore të Policisë Tiranë dhe Kukës, në zbatim të urdhrit të prokurorit, vunë në pranga shtetasit:
P. H. alias P. C., 55 vjeç, banues në Tropojë, i cili u arrestua në fshatin Golaj, Kukës, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”; F. B., 34 vjeç, banues në Kamzë, i cili u arrestua në zonën e Astirit, Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”.
Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. B. dhe A. B., vëllezërit e shtetasit të arrestuar F. B.. Vijojnë kontrollet dhe kërkimet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tyre. Nga hetimet e thelluara të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se më datë 08.07.2025, rreth orës 22:10 në fshatin Zenisht, Burrel, shtetasi R. D. është marrë peng dhe me pas është vrarë, nëpërmjet strangulimit (mbytjes me litar).
Autorët, pas vrasjes, e kanë hedhur automjetin e 23-vjeçarit, bashkë me trupin e pajetë të tij, me qëllim që të binin në liqenin e Ulzës. Gjatë rënies, trupi i 23-vjeçarit ka mbetur pranë sektorit "C", pa rënë në liqen, ndërsa automjeti ka rënë në liqen, ku dhe u gjet.
Nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë.
23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka patur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike Kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve," tha policia.