TIRANË- Kryeministri Edi Rama tha sot se me anëtarësimin në BE bëhet fjalë për të marrë një pasaportë të re e cila do të jetë e barabartë me francezët, gjermanët apo italianët.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri ka ironizuar koalicionin e PD-së, ku tha se e vetmja gjë madhështore e tyre janë mustaqet e Kujtim Gjuzit. Sipas kryeministrit, PS ishte ajo që ndryshoi qytetin e Kavajës, ndërsa shtoi se njerëzit aty nuk kishin as ujë dhe as drita.
"Këtu bëhet fjalë për Shqipërinë, bëhet fjalë për të gjithë, pa përjashtim, bëhet fjalë për të marrë një pasaportë të re. Është një pasaportë, nuk do jetë më Republika e Shqipërisë, Republikë of Albania, po do jetë Bashkimi Europian, Republika e Shqipërisë. Dhe nuk do rrini më në fund, nuk do kemi më radhë që të na kontrollojnë pasaportën kur hyjmë nëpër vende të tjera, pavarësisht se hyn pa vizë në Bashkimin Europian, po prapë e keni pa si ndahen, ca shkojnë nga një anë edhe hyjnë dhe si kontrollon njeri, ne futemi nga ai rreshti tjetër edhe fillon kontrolli. Nuk do kemi më, do hyjmë njësoj me francezë, me gjermanë, me hollandezë, me italianë njësoj të barabartë. Si mund të lihet kjo tani për tifozllik, jo, jam me PD-në, jo jam me këtë, jo jam me PS-jë, jo jam me Kujtim Gjuzin, kjo nuk mund të lihet, nuk mund të lihet. Kujtimi është më i miri atje, më madhështori, më simpatiku, por përveç mustaqeve, s'ka asnjë gjë tjetër. Ata tjerët s'kanë as mustaqe.
Këtu në Kavajë e keni parë vetë se ç'a të bën vajtja te shtëpia e mullixhiut për inat të vjehrrës, e keni parë vetë. E keni provuar sepse bëmë një rezultat të jashtëzakonshëm, morëm Bashkinë e Kavajës, ndryshuam Kavajën, për hir të vërtetës, e ndryshuam Kavajën, sepse ishte xhep fallco që s'kishte asgjë përveç pluhurit, farave të kungullit, edhe njerëzve që bënin si bënin për të mbijetuar, po as ujë, as drita, as hiç, edhe ishin ato dy gishta atje te sheshi.
Unë, kur ardhur në Kavajë për herë të parë si kryetar i Partisë Socialiste, nuk bënim dot takimin, se na dolën atje te kinemaja edhe nuk na linin të hynim në kinema. Edhe kur hymë në kinema, kishte më shumë karrige bosh se ç'kishte njerëz në karrige, kjo ishte Partia Socialiste. Këtu ndodhte që në një kuti, në një qendër votimi, mos merreshin votat as të anëtarëve të komisionit, sepse presioni ishte i madh, pensionistët atje mezi i linin të votonin etj, etj, gjëra të tmerrshme. Këtu kanë ndodhur gjitha këto. Tani, kjo gjë ka ndryshuar edhe është si ëndërr, po tani unë kam kohë që e shoh këtë ëndërr që në Partinë Socialistë të Kavajës, ka gra, saç ka dhe burra pothuajse. Dhe kjo është gjë shumë e madhe, ama duhet të nxjerrim rezultatet.", u shpreh Rama.