
TIRANË- Shqipëria dhe Gjermania kanë nënshkruar tre marrëveshje bashkëpunimi në sektorin e energjisë dhe eficiencës energjetike, me një vlerë totale rreth 90 milionë euro hua dhe 24 milionë euro grant. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me ambasadorin gjerman në Tiranë, Karl Bergner, pas nënshkrimit të marrëveshjeve, bëri të ditur se projektet e mbështetura nga qeveria gjermane dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) kanë rëndësi strategjike për modernizimin e sistemit energjetik dhe për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Marrëveshja e tretë lidhet me rehabilitimin, në kuadër të eficiencës së energjisë, të godinave të konvikteve në “Qytetin Studenti”. Projekti do të financohet me një grant prej 24 milionë eurosh nga qeveria gjermane përmes KfW-së dhe synon përmirësimin e kushteve të jetesës për studentët, si dhe uljen e konsumit energjetik.
Ministri falënderoi qeverinë gjermane dhe KfW-në për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen për projekte me interes publik në Shqipëri. Nga ana e tij, ambasadori gjerman Karl Bergner shprehu mbështetjen e qeverisë gjermane për zhvillimin e investimeve me ndikim në ekonominë e vendit.
Kënaqësi që nënshkruam tre marrëveshje qeveritare me ambasadorin gjerman me një rëndësi specifike, në fakt edhe me një vlerë të rëndësishme rreth 90 milionë euro hua dhe rreth 24 milionë euro grant. Marrëveshja e parë lidhet me efiçencën e energjisë në sistemin e transmetimit. Bëjmë digjitalizimin e të gjithë sistemit të transmetimit, duke dhënë mundësi që të automatizojmë edhe të gjitha proceset që lidhen me ndërlidhjen e nënstacioneve dhe operimin energjetik.
Marrëveshja tjetër lidhet me rehabilitimin e hidrocentralit të Vau të Dejës, një nga veprat tona energjetike publike më të rëndësishme, e cila përsëri, me ndihmën e KfW-së dhe qeverisë gjermane, ka angazhimin për t'u rehabilituar dhe tashmë kjo marrëveshje është në vijim të punës së mirë që është bërë deri më tani, përsëri me qeverinë gjermane dhe me KfW-në, për rehabilitimin e këtij hidrocentrali.
Dhe marrëveshja e fundit, marrëveshja që lidhet me qytetin ‘Studenti’ dhe me rehabilitimin nën kuadrin e efiçencës së energjisë të konvikteve për studentët. Ka një grant 24 milionë euro nga qeveria gjermane me anë të KfW-së, për sa i përket këtyre ambienteve, që përsëri shkojnë në të mirën publike, shkojnë për studentët, për një jetë më të mirë, edhe proces të të nxënit më të mirë, por edhe për sa i përket kursimit energjetik, pasi të gjitha ambientet aty janë me efiçencë energjie.
Kështu që edhe një herë, ambasador, faleminderit, qeverisë gjermane, por edhe KfW-së për të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur deri tani, por edhe për të gjitha këto projekte me interes publik në Shqipëri. Faleminderit