Ministri i Bujqësisë Andis Salla ka deklaruar se gjatë vitit 2025, u analizuan 32 mostra për aflatoksinë dhe se 13 prej tyre rezultuan jo në përputhje me rregullat, duke thënë se në të gjitha këto raste u morën masa dhe produktet u bllokuan. Në interpelancën e sotme në Parlament me deputetin Braçe, Salla theksoi se qëllimi është t’i garantohet konsumatorit shqiptar siguria dhe cilësia ushqimore.
"Faleminderit për këtë interpelancë, e cila na jep mundësinë të flasim hapur dhe me përgjegjësi për një çështje që prek drejtpërdrejt çdo familje shqiptare, e cila është siguria e ushqimit që konsumojmë çdo ditë, dhe në rastin konkret, produktet e qumështit. Dua ta nis këtë fjalë jo vetëm si ministër, por edhe si qytetar i republikës së Shqipërisë. Besimi tek ushqimi është themelor. Në momentin që ky besim lëkundet, përgjegjësia jonë si institucione është të sqarojmë, të veprojmë dhe mbi të gjitha të garantojmë standarde. Për ta kuptuar drejt situatën, duhet të nisim nga një realitet i thjeshtë i sektorit i qumështit në Shqipëri është një sektor jetik për ekonominë rurale dhe për sigurinë ushqimore të vendit, por ai është një sektor ende në tranzicion dhe me sfida strukturore të trashëguara ndër vite. Ai karakterizohet nga fragmentarizimi i lartë. Shumica e fermave tona janë familjare, me 1,2-3 krerë gjedh, që prodhojnë kryesisht për konsum familjar. Vetëm rreth 4,500 ferma kanë më shumë se 3 (tre) krerë gjedh, ndërsa rreth 11,300 ferma kanë mbi 30 krerë të imta.
Prodhimi total i qumështit në vend vlerësohet rreth 1 milion ton në vit. Një pjesë dorëzohet në stabilimente përpunimi, një pjesë konsumohet në fermë për konsum familjar ose përpunohet në njësi të vogla, shpesh në zona të thella malore. Kjo strukturë është trashëgimi ekonomike dhe sociale dhe ajo përbën panoramën reale me të cilën ne punojmë çdo ditë, duke krijuar sfida reale: në kontrollin e cilësisë, në ruajtjen e zinxhirit të sigurisë ushqimore dhe në gjurmueshmëri. Ku qëndrojmë sot në raport me standardet e BE-së? Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka përgjegjësinë e përafrimit të plotë të legjislacionit me Bashkimin Evropian, në kuadër të Kapitullit 12. Nga ana teknike, Shqipëria sot ka një bazë të plotë ligjore të harmonizuar me Bashkimin Europian. Sot, legjislacioni shqiptar për sigurinë ushqimore, higjienën, gjurmueshmërinë, kriteret mikrobiologjike dhe nivelet e ndotësve është i përafruar me rregulloret e BE-së.
Dhe sistemi aktualisht në vend kontrollet nga: AKU – në stabilimentet e përpunimit dhe tregtimit. AKVMB – në nivel ferme, për shëndetin e kafshëve dhe përdorimin e barnave veterinare. ISUV dhe 7 laboratorë rajonalë të AKU - NË MBËSHTETJE TË SISTEMIT TË KONTROLLEVE ZYRTARE për qumështin dhe produktet me bazë qumështi. Si funksionon kryesisht ky kontroll? Kontrolli nuk është një akt i vetëm. Ai është një proces dinamik që ndjek produktin nga ferma në tryezë: Në fermë kontrollohet ushqimi i kafshëve, kushtet e mbarështimit dhe higjiena; Në pikat e grumbullimit kontrollohet cilësia e qumështit të dorëzuar; Në përpunim verifikohen proceset teknologjike dhe standardet higjieno-sanitare; Në treg kontrollohet produkti final. Në Shqipëri operojnë 262 stabilimente grumbullimi dhe përpunimi, nga të cilat 215 klasifikohen me risk të lartë, thënë ndryshe kontrollohen më shpesh - c’ka dëshmon vëmëndjen e MBZHR ndaj këtij sektori. Gjatë vitit 2025 janë kontrolluar të gjitha stabilimentet dhe për mospërputhjet me legjislacionin janë dhënë 45 paralajmërime, janë vendosur 40 gjoba dhe është ndërprerë aktiviteti për 6 stabilimente. Pra, kur ka shkelje, ka masa.
Le të ndalemi tek çështja e aflatoksinës, që është ngritur me të drejtë si shqetësim nga ne, sikurse dhe nga ju. Gjatë vitit 2025 janë analizuar 32 mostra për aflatoksinë M1 në qumësht, nga të cilat 13 kanë rezultuar jo-konforme. Për të gjitha rastet jo-konforme, janë vendosur masa administrative, janë bllokuar produkte, konkretisht mijëra litra qumësht dhe dhjetëra kilogramë produkte të përpunuara, dhe është ndjekur gjurmueshmëria deri në fermë. Kjo është shumë e rëndësishme të theksohet, sistemi është aktiv. Ai ka reaguar. Dhe ka reaguar në kohë. Është e rëndësishme të kuptojmë burimin e problemit dhe të theksohet se aflatoksina në qumësht nuk krijohet në stabiliment apo baxho. Ajo vjen kryesisht nga ushqimi i kontaminuar i kafshëve, kryesisht nga aflatoksina B1 në misër ose koncentrate. Kjo është arsyeja pse kontrollin nuk e kemi kufizuar vetëm në produktin final, por e kemi shtrirë në të gjithë zinxhirin, që nga ushqimit për kafshë i importuar, NË KUFI. Dhe, sa i përket çështjes së aflatoksinës, në zona të caktuara si ajo që përmendi zoti Braçe, duhet të theksojmë se të gjitha procedurat janë ndjekur brenda afateve për këtë shqetësim që po trajtojmë sot.
Ne nuk duhet t'i inkurajojmë asnjë nga fermerët tanë të jenë pjesë e këtij procesi pavarësisht se si i ushqejmë kafshët, pavarësisht se si ne vazhdojmë në këtë procedurë kaq të rëndësishme, e cila është siguria ushqimore dhe ajo e cila ne duhet t'i garantojmë të gjithë konsumatorëve shqiptarë sigurinë ushqimore dhe një konsum sa më cilësor dhe të kontrolluar. Pra në elementë të tjerë të rëndësishëm është dhe ajo e cila është transparenca. Dua që sot të themi që ky sektor është shumë delikat dhe ne duhet të jemi pranë qytetarëve me siguri ushqimore të gjithë së bashku për të pasur ne një proces transparent dhe një proçes për të ndihmuar këtë sektor kaq të rëndësishëm. Së fundi, bëhet fjalë për diçka shumë thelbësore, ushqimin që ne, fëmijët tanë dhe familjet tona konsumojnë çdo ditë dhe shëndetin e qytetarëve tanë. Dhe për këtë, nuk ka asnjë kompromis," tha Salla.