Rritja potenciale e ekonomisë shqiptare sot mbështetet më shumë te kapitali dhe më pak te puna. Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kontributi i faktorit punë ka ardhur në rënie, sidomos pas vitit 2020, duke reflektuar, mes të tjerash, reduktimin e popullsisë totale dhe të asaj në moshë pune.
Nga ana tjetër, ky reduktim është kompensuar kryesisht nga rritja e kontributit të kapitalit dhe pjesërisht nga rritja e kontributit të produktivitetit, duke sugjeruar si një ritëm më të shpejtë të grumbullimit të kapitalit, ashtu edhe një adoptim më të shpejtë të teknologjive të reja dhe një rishpërndarje të burimeve nga bujqësia në shërbime dhe industri.
Për periudhën 2016-2019, Banka e Shqipërisë vlerësonte se ekonomia shqiptare kishte një nivel të rritjes potenciale prej 3.3%. Kontributi i faktorit punë në rritjen potenciale vlerësohej në masën 2 pikë përqindje, kontributi i kapitalit në masën 0.9 pikë përqindje dhe kontributi i faktorit produktivitet në masën 0.4%.
Ndërkohë, në periudhën 2023 – 6-mujori 2025, kontributi i faktorit punë ka rënë në 0.4 pikë përqindje, ai kapitalit është rritur në 1.5 pikë përqindje, ndërsa kontributi i produktivitetit është rritur lehtë në 0.6 pikë përqindje.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia e kontributit të punësimit, e lidhur me tendencat e pafavorshme demografike dhe procesin e emigrimit, përbën një zhvillim që kërkon vëmendje, për sa kohë ai ndikon negativisht në ritmin e rritjes potenciale.
Në këtë kontekst, hartimi dhe zbatimi i reformave strukturore, të cilat targetojnë dy faktorët e tjerë, mbetet thelbësor. Banka e Shqipërisë sugjeron që, së pari, këto reforma duhet të synojnë të zgjerojnë kapacitetin akumulues të kapitalit, nëpërmjet përmirësimit të mëtejshëm të klimës së biznesit dhe rritjes së atraktivitetit të vendit për investime të huaja direkte, sidomos në sektorë prodhues. Së dyti, ato duhet të synojnë të rrisin produktivitetin e ekonomisë, nëpërmjet investimeve të mëtejshme në arsim, teknologji dhe inovacion.
Në këndvështrimin e Bankës Qendrore, rritja e kontributit të këtyre dy faktorëve është thelbësore për një konvergjencë sa më të shpejtë e të qëndrueshme me Bashkimin Europian.
Një analizë e Bankës së Shqipërisë ka arritur në konkluzionin se rritja potenciale e ekonomisë shqiptare për periudhën 2023 – 6-mujori 2025 është rreth 3.5%. Ndërkohë, rritja faktike e ekonomisë për të njëjtën periudhë ka qenë mesatarisht 3.8%.
Këto shifra tregojnë se ekonomia shqiptare i ka arritur, madje lehtësisht tejkaluar normat e rritjes potenciale, ndërsa një përafrim më i shpejtë me standardet e BE-së do të kërkonte reforma të cilat do të ndihmonin në zgjerimin e potencialeve të rritjes ekonomike.
Norma e rritjes potenciale të ekonomisë është një nga treguesit më të rëndësishëm makroekonomikë, pasi përcakton ritmin e rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit dhe dikton hapësirat e disponuara për rritjen e mirëqenies shoqërore.
Në aspektin teorik, norma e rritjes potenciale nënkupton normën maksimale të rritjes së prodhimit që një ekonomi mund të arrijë në mënyrë të qëndrueshme, pa krijuar presione të shtuara inflacioniste. Si e tillë, ajo përbën një ekuilibër afatgjatë të rritjes së PBB-së, ku faktorët e prodhimit (puna, kapitali dhe produktiviteti i përgjithshëm) përdoren me eficiencë të plotë./Monitor.al