
Ish-kongresmeni republikan amerikan, Bob McEwen mbajti një fjalim në Kuvendin Kombëtar t♪ PD-së, ku shprehu mbështetje për opozitën shqiptare dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
McEwen deklaroi se vjen nga SHBA me përshëndetjet e miqve dhe kolegëve të tij në Kongres, duke vlerësuar rolin e shqiptarëve dhe marrëdhëniet historike mes dy vendeve. Ai kujtoi gjithashtu vizitën e tij në Shqipëri në vitin 1991, gjatë periudhës së ndryshimeve politike dhe rrëzimit të monumentit të një diktatori, të cilin e cilësoi si një moment simbolik për kalimin nga sistemi totalitar.
Në fjalën e tij, McEwen vlerësoi rolin e Partisë Demokratike në tranzicionin politik të vendit dhe në integrimin euro-atlantik të Shqipërisë, duke përmendur edhe anëtarësimin në NATO si një arritje historike.
Duke iu referuar debatit politik, McEwen u shpreh se mbështetja për lirinë dhe kundërshtimi i tiranisë mbeten vlera universale, ndërsa përsëriti mesazhin se “ne e rrëzuam tiraninë më parë dhe do ta rrëzojmë përsëri”, duke iu referuar luftës kundër sistemeve autoritare. Fjalimi u mbyll me një mesazh mbështetjeje për shqiptarët dhe thirrje për vazhdimin e angazhimit në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë.
“Shumë faleminderit. Është privilegj që të ndodhem sot këtu me ju. Vij nga Shtetet e Bashkuara dhe ju përcjell përgëzimet e shumë miqve tuaj, përfshirë edhe kolegët në Kongres. Kryetari i koalicionit të Shqipërisë mendon për ju vazhdimisht dhe rregullisht, sepse marrëdhënia që ka krijuar Shqipëria për kauzën e së drejtës është e përhapur kudo në botë. Restoranti im i preferuar shpronësohet nga një shqiptar. E gjithë bota është e bekuar nga shqiptarët. Por ç’është më e rëndësishmja, kam qenë i privilegjuar të jem në Tiranë në shkurt të vitit 1991, kur njerëzit vendosën të zëvendësojnë monumentin e një diktatori. Populli i madh shqiptar kishte jetuar nën çizmen shtypëse të socializmit për një kohë kaq të gjatë sa nuk mund të ecte përpara. Kur e rrëzuan monumentin, bazamenti i tij u shkërmoq.
Unë mora një prej kësaj cope mermeri, e çova në shtëpi në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe e vendosa mbi tavolinë. Dhe shumë shpesh njerëzit më pyesnin: çfarë e ke këtë mbi tavolinë? Dhe unë shpjegoja se kjo tregon se kur një vend ka qenë nën çizmen e tiranisë, të totalitarizmit, lufton për liri, dhe kombi shqiptar i sotëm i ka hedhur bazat e veta pikërisht atëherë. Ishte një koalicion i përbërë prej drejtuesve konservatorë, nën drejtimin e Partisë Demokratike, nën drejtimin e Sali Berishës, që e çoi Shqipërinë në NATO. Dhe e gjithë bota e sheh Shqipërinë si një mike dhe si një aleate. Vendet e tjera të Evropës vazhduan të ndiqnin shembullin e Shqipërisë dhe të lidershipit të vetë konservator. Përsa u përket kushteve, duhet ta pranoj se jam më i madh në moshë se shumë prej jush, dhe ky vend ka pasur gjithnjë nevojë për Partinë Demokratike. Në vitet ’80 kishte nevojë për Partinë Demokratike. Kjo parti, ky koalicion dhe drejtuesi i kësaj partie e mori këtë komb si një tren që kishte dalë nga binarët dhe e ktheu në binarë, dhe Shqipëria filloi të ecte përpara.
Dhe në ditët e mëtejshme, unë dua t’ju lë me një koment: se Moisiu, tek Shkrimet e Shenjta, tha se kur krijon dhe kërkon një drejtim brenda një vendi, kërkon tre gjëra. Së pari, duhet t’i kenë frikë Zotit. Ka një konkurrencë ndërmjet atyre që mendojnë se janë vetë Zoti dhe atyre që e pranojnë se ne duhet të kthejmë drejtimin nga Zoti. Dhe kur kërkon Zotin, ti ndërton një familje, ndërton një komb.
Së dyti, Zoti i tha Moisiut: ti do që njerëzit të jenë pjesë e drejtimit dhe të mos kenë frikë nga e vërteta, ose ndryshe nga ndershmëria. Dhe asgjë nuk e shkatërron një komb si korrupsioni. Ti ke nevojë për persona të cilët janë në poste drejtuese dhe janë të ndershëm, dhe pikërisht këtë i ka ofruar këtij kombi kjo parti.
Dhe më pas vazhdon: do njerëz në pozicione zyrtare dhe ata të mos duan t’ju grabisin të tjerëve. Dhe ka dy mënyra për ta arritur këtë: së pari, nëpërmjet lirisë, ku ti krijon pasuri, kur ti i jep mundësinë që të hapësh biznese dhe bekon popullin; kurse në socializëm, ti përdor pushtetin për t’u marrë njerëzve, dhe kur i merr atij personi, ai zvogëlohet. Dhe pikërisht kjo është lufta që ne në Amerikë, kudo në botë, vazhdojmë të përballemi me këtë konkurrencë. Kemi nevojë për persona të cilët janë të angazhuar për lirinë, për krijimin e pasurisë, jo për shfrytëzimin e pushtetit të shtetit për t’jua marrë atyre që e krijojnë atë. Prandaj pikërisht këtë ka bërë kjo parti për shumë vite. Pikërisht këtë ka bërë edhe kryetari i kësaj partie për shumë vite.
Dhe prandaj, ndër plot vende që mund të vizitoja dhe plot popuj që mund të shikoja, nuk ka një popull tjetër për të cilin unë të ndihem më tepër krenar sesa pikërisht ky popull. Ne qëndrojmë pranë jush në të gjithë këtë përpjekje dhe si një popull konservator dhe si popull që e duam lirinë, ne do t’ju mbështesim. Ashtu sikurse e tha edhe Sali Berisha, ne e rrëzuam tiraninë më përpara, do ta rrëzojmë përsëri.
Zoti ju bekoftë!”, tha ai.