TIRANË- GJKKO ka zbutur masën e sigurisë për Xhelal Rrajës, duke e liruar nga masa e sigurisë "arrest me burg", për ta lënë në arrest shtëpie. Pas pranimit të kërkesës nga GJKKO, Xhelal Rraja do të qëndrojë nën mbikëqyrje policore. Gjithashtu atij i ndalohet komunikimi me persona të tjerë përveç personave me të cilët ndan banesën.
Kush është Xhelal Rraja?
Xhelal Rraja është vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Ai u arrestua në korrik të viti 2024, i shpallur në kërkim, pasi gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në vijim të operacionit “Revanshi”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.
Xhelal Rraja ishte pjesë e grupit kriminal të Durim Bamit dhe Endrit Dokles. Këta të fundit synonin eleminimin e një tjetër ish-deputeti socialist, Arben Ndokës. Në hetimet e SPAK ku u goditën 7 grupe kriminale dhe u arrestuan shumë emra të njohur të botës së krimit, thuhej se organizator i planit të eleminimin të Ndokës, ishte Xhelal Rraja. Gjithashtu ai përmendet në përgjimet e dosjes Metamorfoza si përdorues i një telefoni SKY me pseudonimin H2.
Në dosjen e SPAK thuhej se Arben Ndoka ishte planifikuar të ekzekutohet në janar 2021, kur ky të shkonte për kafe dhe qokë në Rrugën e “Elbasanit”, pasi kishte vdekur një gjyqtar nga Lezha.
Prokuroria thotë se Durim Bami dhe Endrit Dokle, në bashkëpunim me Xhelal Rrajën, vëllain e ish deputetit socialist dhe Marklen Hakën, thurën planin për të kryer ekzekutimin e Ndokës. Rraja është përfshirë edhe në rrahjen masive që ndodhi në Thumanë ndaj dy kushërinjve, Jashar dhe Bilbil Maja, ngjarje pas së cilës vëllai i tij deputet dha dorëheqjen.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK janë goditur 7 grupe të strukturuara kriminale dhe u firmosën 50 urdhër arreste për bosë të krimit dhe anëtarë të grupeve të tyre kriminale. Gjithashtu janë sekuestruar pasuri me vlerë 4.5 milionë euro, ku përfshihen bizhuteri dhe ora të shtrenjta, flori, euro cash, armë zjarri, automjete luksoze të blinduara, sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj.
Sipas SPAK, në qendër të grupeve kriminale ishte ai i të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, i cili ishte në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga ish-deputet Arben Ndoka. Bëhet me dije se në zonën e Fushë-Krujës vepronte grupi i Durim Bamit i cili ishte në konflikt të hapur me grupin e Martinajt dhe Ndokës. Grupi i Bamit bëri aleancë me një grup kundërshtar të Martinajt që drejtohet nga Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni, persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Martinajt dhe Ndokës dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.
Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe A.Avdylaj, që edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë në realizimin e vrasjes së Durim Bamit. Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga Edison Reçi. Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e Preng Gjinit. Nga njoftimi i SPAK është evidentuar dhe përfshirja në ngjarjet kriminale edhe një ish-deputeti, Arben Ndoka, katër punonjës policie; drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Henerigert Mitri, efektivët e RENEA-S, Altin Morina dhe efektivi me iniciale A.P,.
Sipas SPAK, Mitri së bashku me ish-punonjësin e policisë kufitare Klodjan Shahini dhe persona të tjerë drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve në qarkun e Lezhës. Gjithashtu së bashku me Preng Gjinin, aktualisht në arrest për një hetim tjetër, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në Lezhë. Gjatë ekzekutimit të vendimeve të GJKKO janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 3 milionë euro cash vetëm në banesën e Ervis Doçit i njohur ndryshe me pseudonimin Visi i Pojës.