
Një shtetase shqiptare i ka shpëtuar përkohësisht deportimit nga Mbretëria e Bashkuar, pasi një gjykatë ka pranuar se bashkëshorti i saj mund të ketë qenë përgjegjës për deklaratat e rreme lidhur me kombësinë dhe dënimet e saj të mëparshme.
Fatmire Isaku aplikoi tri herë për nshtetësi britanike pasi mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar së bashku me bashkëshortin e saj, Islam Isaku. Aplikimet e saj u refuzuan, pasi ajo nuk kishte deklaruar precedentë penalë, përfshirë një dënim për grabitje. Po ashtu, Isaku kishte deklaruar se ishte lindur në vitin 1958 në Prishtinë, për të përfituar mbrojtje në territorin britanik, ndërkohë që sipas dokumenteve zyrtare ajo kishte lindur në Tiranë në vitin 1952.
Në tetor të vitit 2011, Isaku paraqiti një aplikim të katërt për nënshtetësinë, i cili u miratua një vit më pas. Edhe tre fëmijët e çiftit përfituan nënshtetësinë britanike përmes këtij procesi. Megjithatë, pasi autoritetet britanike zbuluan se çifti ishte me origjinë nga Shqipëria dhe jo nga Kosova, Ministria e Brendshme vendosi t’u hiqte nënshtetësinë britanike. Në vijim, Fatmire Isaku nisi një betejë ligjore duke apeluar vendimin për heqjen e të drejtës së qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Apeli i saj fillimisht u rrëzua nga një gjykatë më e ulët emigracioni, por së fundmi një gjykatë e lartë e ka shfuqizuar këtë vendim, duke urdhëruar rishqyrtimin e çështjes nga një gjyqtar tjetër. Gjykata vlerësoi se bashkëshorti i saj “mund të ketë nxitur dhe mbikëqyrur” deklaratat e rreme të Fatmire Isakut. Avokati i saj argumentoi se problemet e rënda të shëndetit mendor nga të cilat ajo vuan tregojnë se ajo “nuk ka qenë e përfshirë në mënyrë të vetëdijshme në mashtrim”, një aspekt që, sipas mbrojtjes, nuk ishte marrë në konsideratë nga gjykata e mëparshme.
Në vendimin e tij, gjykatësi theksoi se raportet mjekësore tregojnë se gjendja mendore e Isakut ka ndikuar ndjeshëm në jetën e saj të përditshme dhe se këto prova duhej të ishin shqyrtuar në mënyrë më të thelluar për të kuptuar nivelin e përgjegjësisë së saj.
“Çështja nuk është vetëm nëse mashtrimi u provua, por edhe shkalla e fajësisë dhe ndikimi i gjendjes mendore në perceptimin dhe veprimet e saj”, thuhet në vendim. Gjykatësi arriti në përfundimin se gjykata e mëparshme kishte gabuar në vlerësimin e çështjes, duke hapur kështu rrugën për rishqyrtim.
Çështja pritet të shqyrtohet sërish nga një gjyqtar tjetër, ndërsa vendimi përfundimtar mbi qëndrimin e Fatmire Isakut në Mbretërinë e Bashkuar mbetet ende i hapur.