
Gazetari e pyeti Ramën se përse krijon marrëdhënie miqësore me kryeministrat dhe politikanët maqedonas, ndërsa, sipas tij, nuk tregon të njëjtin interes për shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
Ai përmendi rastet “Monstra”, “Alfa” dhe vrasjen e Almirit, duke e akuzuar kryeministrin shqiptar se nuk ka reaguar për këto çështje.
Në përgjigjen e tij, Rama theksoi se Maqedonia e Veriut është një shtet sovran, ku shqiptarët janë popullsi shtetformuese dhe kanë mundësi të përfaqësohen përmes institucioneve dhe partive të tyre politike.
Kryeministri u shpreh se ndërhyrja e kryeministrave në çështjet e brendshme të njëri-tjetrit nuk i shërben marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Çështjet, të cilat ju prekët janë çështje që trajtohen dhe duhet të trajtohen gjithmonë nga institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shqiptarët kanë mjaftueshëm parti politike, bile kanë edhe më shumë se ç’duhet, për t’i përfaqësuar dhe për t’i shpalosur të gjitha ngjyrat dhe të gjitha opinionet”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në fushatat politike në Maqedoninë e Veriut, por theksoi se përfaqësuesit politikë shqiptarë janë gjithmonë të mirëpritur në Tiranë për të diskutuar çështjet e përbashkëta.
Rama nënvizoi se nuk sheh asnjë kontradiktë mes të qenit mik me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.
“Unë nuk besoj që është ndonjë çudi që të kesh mik edhe Hristijan Mickoski dhe Ali Ahmetin. Përkundrazi, është diçka pozitive”, u shpreh ai.
Kryeministri kundërshtoi idenë se duhet të zgjedhë mes marrëdhënieve me homologun maqedonas dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
“Nuk mendoj që kam një zgjedhje për të bërë, ose mik me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut ose mik me shqiptarët. Kjo më duket skandaloze si ide”, tha Rama.
Në fund, kryeministri iu përgjigj edhe mënyrës se si gazetari kishte ndërhyrë për të marrë fjalën, duke deklaruar:
“Fakti që ti e merr mikrofonin me zor, bërtet dhe ne të përgjigjemi me buzëqeshje dhe ty nuk po të marrin në krah të të çojnë në izolim, tregon që nuk jeton në një vend jodemokratik. Jam i sigurt që ty nuk do të ndodhë asnjë gjë sepse ti problemin e ke në kokën tënde, nuk e ke me Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Përplasja u zhvillua në kuadër të konferencës së përbashkët Rama–Mickoski, ku në fokus ishte edhe inaugurimi i sistemit të integruar të kontrollit kufitar “One Stop Shop” në Qafë Thanë.