
Rama theksoi se në rastin e Ballukut nuk ka bërë asnjë deklaratë në mbrojtje të saj, ndërsa përsëriti qëndrimin se paraburgimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas tij, nuk mund të mbahet në paraburgim një kryetar i zgjedhur dhe njëkohësisht të argumentohet se ai nuk mund të zëvendësohet pasi vijon të jetë në detyrë.
“U ngrit një furi se si e mbrojta Belinda Ballukun nga drejtësia. E kam dëgjuar të përsëritet dhe të kthehet në një të vërtetë të krijuar artificialisht. Po cila është e vërteta ime, që unë e kam ndarë me ju? Është e njëjta dhe është gjithmonë kjo: raporti ynë me drejtësinë ka qenë dhe mbetet një raport pushtetesh të ndara, dhe kush ka një problem me drejtësinë, e ka personal, të vetin, me avokatët e vet. Unë dhe PS-ja nuk bëjmë avokatin e askujt. Gjeni një fjalë timen ose të kujtdo këtu që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Ballukut dhe ma thoni. Nuk e gjeni dot për asnjërin dhe për asnjërën.
Në rastin e Ballukut kam thënë: S’ka arsye që ne, kur erdhi puna te ne, ta ngremë kartonin për të paraburgosur një kolege pa gjyq, kur hetimet vazhdonin. Jo te mendimi im për çështjen, po te vota jonë. Sot e vërteta është aty: hetimet vazhduan, u kryen, çështja shkoi në gjyq. Pra, nuk ishte pengesë.
Për Ballukun ishte pjesë e një qasjeje të cilën do ta kundërshtojmë me ligj, kemi bërë paketën e masave për paraburgimin. Kemi dyfishin e të paraburgosurve të krahasim me Rusinë. Ne nuk jemi barbarë, patjetër që jemi për hetime dhe gjykime të pavarura, por ka edhe disa balanca dhe liri të njerëzve.
Nuk jemi në mesjetë kur turma kërkon gjak. Ligji ka edhe me bij nënash që janë të pafajshëm deri në momentin që gjykohen. Mbajmë në burg pa gjyq edhe turistë të huaj, kalamaj që i kapim me hashash dhe i presim të gjykohen. Paketa e re është në konsultim.
Etilda Gjonaj nuk e mori mandatin dhe punon me mua si këshilltare ligjore, është si të kesh një komision ligjesh në godinën e PS, pa orar, koordinon projekte dhe nuk ngurron të falënderojë për mbështetjen që kjo familje i ka dhënë kur ishte e re. Këta janë ata që kanë ardhur dhe këta pyesin se nga vijnë këta.
‘Jemi socialistë, nga vijnë këta të tjerët’, thonë këta. Këto muaj janë të rëndësishme për të folur për të gjithë ata që nuk kanë dëgjuar. Me ftesën që të gjithë së bashku të mos lejojmë që uji i pisët të mbysë beben, por të kujdesemi të mos hedhim beben bashkë me ujin e pisët, ju falënderoj shumë për vëmendjen”, u shpreh Rama.