Prokuroria e Tiranës ka lëshuar një fletëthirrje për Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sipas Report tv, fletëthirrjen Prokuroria e ka lëshuar me argumentin se Shkëlzen Berisha do pyetet për çështjen “CEZ”. Gjithashtu fletëthirrje ka edhe për Nuel Kalajn, i njohur ndryshe si sekseri i negocimit të marrëveshjes për privatizimin e OSSH te kompania çeke “CEZ”, si dhe për Ardian Brahon.
Shkëlzen Berisha u thërrit tre herë nga komisioni hetimor parlamentar për skandalin "CEZ", për të sqaruar rolin e tij (nëse ka) në procesin e privatizimit të OSSH, por në të treja prezencat përpara këtij komisioni ai nuk iu përgjigj pyetjeve të deputetëve, duke refuzuar të bëjë edhe betimin.
Në lidhje me këtë, Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla u shpreh se Sali Berisha ka arsye për të protestuar, pasi djali i tij, Shkëlzen Berisha është thirrur nga Prokuroria për të dëshmuar për aferën me CEZ.
"Berisha ka arsye familjare për të protestuar. Mediat njoftojnë se Shkëlzen Berisha dhe Nue Kalaj janë thirrur sot nga Prokuroria, për shpërdorim detyre nga ana e babait, por edhe shndërrimi i të birit në një rryshfetxhi.Sot kur prokuroria njofton marrjen në pyetje të Zenit, babai i tij i bën thirrje shqiptarëve të rrëzojnë këtë qeveri. Dilni në protestë edhe për drejtorët e LSI. Dilni edhe për ta bashkë edhe me të akuzuarit e vrasjeve të 27 janarit”- tha Balla.

