Avioni u ul më pas në mënyrë të sigurt në Arabinë Saudite. Autoritetet po hetojnë motivin e sulmit dhe nëse incidenti ka ndonjë lidhje me aktivitet terrorist.
Ngjarja ndodhi të mërkurën, në fluturimin FZ1073, i cili transportonte 174 persona nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait drejt Aeroportit Ben Gurion në Tel Aviv. Rreth dy orë pas nisjes, avioni humbi rreth 17 mijë këmbë lartësi dhe më pas sinjalizoi një emergjencë, si dhe një alarm për rrëmbim.
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, deklaroi se do të kërkojë ekstradimin në Izrael të të dyshuarit për sulmin.
“Do të kërkoj në Këshillin e Ministrave ekstradimin në Izrael të pilotit terrorist që u përpoq të vriste qindra izraelitë të pafajshëm. Këtu ai do ta përjetojë nga afër politikën time të burgut: e pret ferri në tokë”, tha Ben Gvir në një deklaratë lidhur me tentativën e sulmit ndaj fluturimit të Flydubai.
Sipas gazetës The Times of Israel, ministri izraelit tha se do t’u kërkojë Ministrisë së Drejtësisë dhe zyrtarëve përkatës diplomatikë të “përdorin të gjitha mjetet e disponueshme” për ekstradimin e të dyshuarit dhe dërgimin e tij përpara drejtësisë në Izrael.
“Kushdo që planifikoi të rrëzonte një aeroplan dhe të vriste 180 izraelitë duhet të ekstradohet në Izrael dhe të paguajë çmimin përfundimtar këtu”, tha ministri.
I dyshuari aktualisht mbahet në Arabinë Saudite, ku u ul avioni. As Arabia Saudite dhe as Omani, vendi i origjinës së të dyshuarit, nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin, gjë që mund të komplikojë çdo përpjekje për ekstradim të drejtpërdrejtë.
Izraeli, ndërkohë, ka marrëdhënie diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe, megjithëse dy vendet nuk kanë një traktat dypalësh ekstradimi.
Sipas burimeve të mediave izraelite, i dyshuari pritet të transferohet në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Një zyrtar, i cituar nga mediat izraelite, tha: “Nuk mund ta themi me siguri derisa të përfundojë hetimi, por duket se ai ishte një sulmues vetëvrasës që ka të ngjarë të tentonte të rrëzonte avionin”.
Izraeli po zhvillon gjithashtu një hetim të brendshëm dhe po shqyrton ndryshime në procedurat e sigurisë.
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Hamad Saif Al Shamsi, ka urdhëruar krijimin e një komisioni hetimor për të hetuar incidentin me fluturimin FZ1073 të Flydubai, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e Emirateve të Bashkuara Arabe, WAM.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dha detaje të tjera lidhur me hetimin gjatë një interviste për Fox News.
“Sulmuesi është nën hetim. Ja çfarë dimë: ai u radikalizua nga Islami”, tha Netanyahu.
Ai e lidhi këtë deklaratë me fjalët që i dyshuari nga Omani dyshohet se ka shqiptuar gjatë incidentit.
Sipas Netanyahut, i dyshuari u kishte thënë anëtarëve të ekuipazhit: “Më vritni”. Kryeministri izraelit tha se kjo mund të tregojë se ai kishte ndërmend të kryente vetëvrasje dhe të rrëzonte avionin.
Netanyahu deklaroi gjithashtu se ka indikacione se Irani mund të përpiqet të godasë objektiva izraelite, veçanërisht gjatë periudhës së zgjedhjeve.
Gjatë intervistës në Fox News, kryeministri izraelit vlerësoi “guximin e jashtëzakonshëm” të pasagjerëve në fluturimin e Flydubai-t, të cilët ndihmuan në neutralizimin e sulmuesit.
“Mendoni për këtë”, tha Netanyahu. “Nëse herën tjetër e gjeni veten në një fluturim të rrëmbyer, sigurohuni që të keni një izraelit të ulur pranë jush.”
Në fund të intervistës, Netanyahu e lidhi sulmin me “urrejtjen”, duke argumentuar se, sipas tij, ai kishte rrënjë në antisemitizëm dhe se disa persona kanë rënë viktima të asaj që ai e cilësoi si “propagandë” që demonizon Izraelin.
“Nuk e di të kaluarën e saktë të këtij personi, sulmuesit, por ai padyshim i urrente izraelitët, sepse ishte gati të vriste rreth 170 prej tyre në këtë aeroplan, duke vrarë edhe veten”, tha Netanyahu, duke shtuar se “ky është fanatizëm dhe urrejtje e një niveli të pallogaritshëm”
