
Presidenti rus Vladimir Putin u cilësua “moralisht përgjegjës” për vdekjen e Daën Sturgess, sipas rezultateve të hetimit, transmeton BBC. Sipas hetuesve britanikë, presidenti rus mund të ketë urdhëruar sulmin me agjentin nervor Novichok kundër ish-agjentit të dyfishtë Sergey Skripal në vitin 2018, një akt i përshkruar si “tronditshëm i pamatur”, i cili çoi në vdekjen e një gruaje të pafajshme.
Dawn Sturgess, nënë e tre fëmijëve dhe më e madhja e katër motrave e vëllezërve, ndodhi të ekspozohej ndaj Novichok-ut në banesën e partnerit të saj, Charlie Roëley, në Amesbury.
Ajo u shtrua në spitalin e Salisbury dhe ndërroi jetë më 8 korrik 2018, tetë ditë pas kontaktit me substancën vdekjeprurëse.
Hetimi theksoi se kujdesi i dhënë nga stafi i ambulancës dhe spitalit ishte “plotësisht adekuat” dhe se asnjë ndërhyrje mjekësore nuk do të kishte mundur t’i shpëtonte jetën.
Nëna e Dawn-it e përshkroi atë si “inteligjente, të paepur dhe shumë të sjellshme”, duke shtuar se vajza e saj kishte filluar të shpresonte për një fillim të ri, pavarësisht vështirësive të viteve të fundit.
Sulmi kundër Sergey dhe Yulia Skripal u konsiderua si një “demonstrim publik i fuqisë ruse”, ndërsa vdekja e Daën Sturgess u cilësua si pasojë e një “dëmi kolateral”.
Hetimi arriti në përfundimin se ky veprim ishte “ekuivalent me një deklaratë publike” drejtuar audiencës ndërkombëtare dhe asaj të brendshme, se Rusia është e gatshme të ndërmarrë veprime të vendosura për interesat e saj.
Në raport theksohet se të gjithë ata që morën pjesë në atentat, përfshirë Putinin, i cili dyshohet të ketë miratuar sulmin në nivelin më të lartë, mbajnë përgjegjësi morale për vdekjen e Daën Sturgess.
Tentativa për helmimin e Sergey dhe Yulia Skripal, e njohur si “rasti Salisbury”, ndodhi më 4 mars 2018 në qytetin Salisbury të Anglisë.
Sergey Skripal, ish-oficer i ushtrisë ruse dhe agjent i dyfishtë për shërbimet britanike, dhe vajza e tij Yulia u helmuan me agjentin nervor Novichok.
Të dy qëndruan për javë të tëra në gjendje kritike përpara se të shëroheshin. Edhe një oficer policie, Nick Bailey, që u ekspozua gjatë hetimit, u shtrua në terapi intensive, por më vonë u shërua.
Qeveria britanike e akuzoi Rusinë për atentatin dhe vendosi një sërë sanksionesh, përfshirë dëbimin e diplomatëve. Rusia i mohoi akuzat, dëboi diplomatët e huaj në kundërpërgjigje dhe fajësoi Britaninë për keqadministrim të çështjes Skripal.