
Izraeli pret kthimin e trupit të pengut të fundit që mbahet ende në Rripin e Gazës. Personi në fjalë është një polic i ri izraelit që u vra në luftime gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
Ky zhvillim vjen pasi të mërkurën u rikthyen mbetjet mortore të një punëtori tajlandez, i rrëmbyer gjatë të njëjtit sulm.
Trupi i Suntisak Rindalak, një punëtor bujqësie 43 vjeçar në kohën e vdekjes, iu dorëzua dje Izraelit nga grupe të armatosura palestineze dhe më pas u identifikua nga ushtria izraelite.
Pas kthimit të mbetjeve të punëtorit tajlandez, autoritetet izraelite u zotuan të punojnë “pa u lodhur” për të siguruar edhe kthimin e trupit të pengut të fundit në Gaza, policit Ran Gvili.
Forumi i Familjeve të Pengjeve, organizata kryesore izraelite që lufton për kthimin e tyre, deklaroi se “pavarësisht dhimbjes”, ky kthim “u jep njëfarë lehtësimi një familjeje që ka përjetuar më shumë se dy vjet pasigurie dhe ankthi”.
“Forumi” shpjegoi në një deklaratë se, pasi Suntisak ishte ndarë nga partnerja e tij, vëllai e kishte inkurajuar të shkonte në Izrael duke besuar se atje mund të gjente një jetë më të mirë.
Ai punoi për shumë vite në bujqësi përpara se të shkonte në Izrael në vitin 2017, në kuadër të një programi për punëtorë të huaj. “Punonte në fermat pranë kufirit me Gazën, ku ishte i njohur dhe i vlerësuar nga kolegët.”
Ran Gvili, një nënoficer i njësisë elitare Yasam të policisë izraelite në rajonin e Negevit, u vra gjatë përleshjeve ditën e sulmit të Hamasit, vetëm një ditë para 25 vjetorit të lindjes së tij.
“I pari që u largua, i fundit që do të kthehet. Nuk do të ndalemi derisa të vijësh në shtëpi”, shkroi nëna e tij, Talik Gvili, në platformën X, duke shoqëruar postimin me foton e djalit.
Më 7 tetor 2023, Gvili, një i ri i apasionuar pas motorëve, ndodhej në leje mjekësore dhe priste një operacion në shpatull. Sapo mori vesh për sulmin e Hamasit, ai u nis nga shtëpia me armën e tij personale.
U vra gjatë luftimeve pranë kibbutzit Alumim dhe trupi i tij u mor nga luftëtarët palestinezë dhe u dërgua në Gaza.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli është “i vendosur dhe i përkushtuar” të sjellë përsëri trupin e “luftëtarit dhe heroit, rreshter Ran Gvili, në mënyrë që t’i jepet një varrim i denjë hebraik”.
“Hamas duhet të respektojë detyrimet e veta. Nuk do të bëjmë kompromis për këtë çështje”, thuhet më tej.
Faza e parë e armëpushimit parashikonte lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtur nga Hamasi dhe aleatët e tij në Gaza, si edhe tërheqje të pjesshme të forcave izraelite.
Faza e dytë e planit, ende e pa miratuar nga të dyja palët, përfshin çarmatosjen e Hamasit, krijimin e një autoriteti kalimtar për qeverisjen e Gazës dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi në territor.