SHBA- Në mars të vitit 2022, ndërsa Evropa shtrëngoi lakun e sanksioneve dhe oligarkëve rusë, një jaht madhështor prej 65 milionë eurosh u sekuestrua në portet italiane.
Anija Lady M i përkiste Alexey Mordashov, njërit prej industrialistëve më të pasur rusë. Mësohet se dje një anije e dytë e lidhur me emrin e tij, u pa duke kaluar Ngushticën e Hormuzit , duke lënë pas shumë pikëpyetje.
Kush është manjati që ndikon edhe në çmimet e makinave?
Mordashov nuk është një djalosh makinash në kuptimin klasik. Ai është njeriu që ndërtoi një perandori çeliku dhe në një moment vendosi të hynte vetë në prodhim. Në fillim të viteve 2000, nëpërmjet Severstal, prodhuesit të çelikut që kontrollon me një pjesëmarrje prej rreth 77% në aksione, krijoi një krah industrial autonom të dedikuar për industrinë e automobilave.
Mediat e huaja shkruajnë se, kjo kompani quhej Severstal-auto dhe u themelua zyrtarisht në vitin 2002. Disa vite më vonë, me Mordashov si kryetar të bordit, Severstal-auto u listua në bursë dhe filloi të prodhonte makina në partneritet me Fiat dhe SsangYong (Daewoo).
Struktura e kontrollit ishte e qartë: Mordashov zotëronte 100% të Newdeal Investments, e cila nga ana tjetër zotëronte pothuajse 88% të Severstal-auto.
Në të njëjtën kohë, kompania kontrollonte dy degë që ia vlen të përmenden: UAZ, prodhuesi i njohur rus i automjeteve jashtë rrugës dhe komerciale, dhe ZMZ, një fabrikë motorësh që mbulonte nevojat e prodhimit të të gjithë zinxhirit. Ky ishte, në çdo kuptim, një ekosistem i plotë automobilistik: nga motori deri te shitja.
Në janar 2007, Mordashov hoqi dorë nga kontrolli i drejtpërdrejtë i Severstal-auto. Blloku kontrollues i kaloi Vadim Shvetsov, dhe kompania më vonë u riemërua SOLLERS. Që nga ai moment, marrëdhënia e tij me industrinë e makinave ndryshoi karakter, por kurrë nuk u zhduk.
Sollers vazhdoi të ndërtonte partneritete të mëdha: një sipërmarrje e përbashkët 50/50 me Ford në vitin 2011, një e ngjashme me Mazda në vitin 2012, dhe më vonë me Isuzu për kamionë të mesëm. Në vitin 2016, u lançua një projekt ambicioz për të prodhuar motorë Mazda në Lindjen e Largët Ruse me një investim që tejkalonte 2.8 miliardë rubla. Këto lëvizje tani i përkisnin Sollers, jo direkt Mordashov. Por ato janë një vazhdim i natyrshëm i zinxhirit që ai vetë ngriti.