
Avionët luftarakë që operojnë në kuadër të misionit të NATO-s për Policimin Ajror Baltik kanë rrëzuar një “dron të huaj” pasi ai hyri në hapësirën ajrore të Letonisë, njoftuan Forcat e Armatosura të vendit.
Sipas autoriteteve letoneze, droni hyri në territorin ajror të vendit si pasojë e ndërhyrjes së luftës elektronike ruse dhe u identifikua mbi rajonin e Balvit, në lindje të Letonisë.
Pas incidentit, ushtria letoneze ka përforcuar njësitë e mbrojtjes ajrore përgjatë kufirit lindor dhe ka vijuar monitorimin e hapësirës ajrore.
Autoritetet paralajmëruan se, për sa kohë që lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon, ekziston mundësia që dronë të huaj të hyjnë ose t’i afrohen hapësirës ajrore letoneze.
Sipas ushtrisë, kërcënime të tjera ajrore u evidentuan në komunat Augšdaugava, Preiļi, Rēzekne, Balvi dhe Alūksne, por situata në këto zona është normalizuar.
Incidenti i fundit vjen në një periudhë kur janë shtuar rastet e inkursioneve me dronë përgjatë krahut lindor të NATO-s. Vendet anëtare të aleancës, veçanërisht ato në kufi me Ukrainën dhe Rusinë, kanë rritur vigjilencën për shkak të rrezikut që paraqesin dronët e devijuar apo të përdorur në operacionet ushtarake.
Në Rumani, avionët luftarakë kanë rrëzuar gjatë muajit korrik tre dronë brenda tre ditësh. Autoritetet rumune kanë deklaruar se të paktën një prej tyre ishte një dron i tipit Shahed, i përdorur nga forcat ruse në luftën kundër Ukrainës.
Ndërkohë, zhytës ushtarakë rumunë shkatërruan këtë javë dy dronë të tipit Gerbera në Detin e Zi, pranë projektit të gazit Neptun Deep. Sipas ministrit rumun të Mbrojtjes, Radu Miruță, ndërhyrja u krye për të garantuar sigurinë e korridorit detar dhe të punimeve pranë platformës së gazit.
Edhe Bullgaria dhe Rumania kanë raportuar së fundmi incidente të tjera me dronë. Në qershor, një dron detar ukrainas shpërtheu në portin e Konstancës, ndërsa një tjetër shpërtheu pranë një stacioni kompresor të gazsjellësit Trans-Ballkanik në Bullgari.
NATO ka diskutuar këto incidente me aleatët e saj, duke shprehur “solidaritetin e plotë” me vendet e prekura. Aleanca ka fajësuar Rusinë për shkeljet e hapësirës ajrore dhe ka deklaruar se mbetet e gatshme të pengojë dhe të mbrohet nga çdo agresion.
Rritja e incidenteve me dronë po shton shqetësimet në vendet e krahut lindor të NATO-s, ku lufta në Ukrainë ka krijuar një situatë të vazhdueshme pasigurie për hapësirën ajrore dhe infrastrukturën kritike.