
SKRAPAR- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mbërritur në fshatin Çepan të Skraparit, aty ku edhe do të mbahet ceremonia e varrimit të babait të tij, Rexhep Meta, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme. Siç shihet edhe në pamje, ish-presidenti shoqërohet nga forca të shumta policore, ndërkohë që kjo është hera e parë që Meta lë qelinë që nga arrestimi i tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, ka organizuar shoqërimin e Metës nga paraburgimi për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të të atit. Ceremonia mortore pritet të zhvillohet në orën 12:00.
Mesazhi i Ilir Metës për ndarjen nga jeta të babait:
Të dashur të afërm, miq dhe dashamirës, Me dhimbje të thellë po ndaj me ju lajmin e trishtë, për mua dhe gjithë familjen tonë, të ndarjes nga jeta të babait tonë të mrekullueshëm, Rexhep Meta. Në respekt edhe të amanetit të tij, ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet, më 2 qershor, në ora 12:00, në vendlindjen e tij në Çepan të Skraparit. Ndërkohë për të gjithë miqtë dhe dashamirësit, familja do të bëjë pritjet e ngushëllimeve në datën 3 qershor në Tiranë, vendin dhe orën e saktë, do t’ju a komunikojmë në vijim.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.
Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK./Dosja.al