TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka dhënë detaje nga arrestimi i Adi Çobos në Shkozet të Durrësit, i cili ishte në kërkim nga Italia për dosjen “Ura”. SPAK bën me dije se në momentin e arrestimit, Çoba kishte në zotërim një pistoletë automatike me dy karikatorë si dhe katër dokumente të falsifikuara, mes të cilëve një kartë identiteti dhe patente italiane. Sipas SPAK, Këto elemente tregojnë lëvizjen e shpeshtë si dhe lidhjen me Italinë. Në njoftim theksohet gjithashtu se u krye edhe sekuestrimi i pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme në Shqipëri dhe Itali, në vlerën e disa miliona eurove.
Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) në bashkëpunim me Qendrën Operative DIA të Barit arrestuan më 2 korrik në Shkozet, Durrës, shtetasin shqiptar A.Ç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Shtetasi A.Ç ishte në kërkim të kuadër të operacionit ndërkombëtar “URA”, i zhvilluar mes autoriteteve shqiptare, atyre italiane dhe belge më 21 maj 2025. Në momentin e arrestimit, ai kishte në zotërim një pistoletë automatike me dy karikatorë si dhe katër dokumente të falsifikuara, mes të cilëve një kartë identiteti dhe patente italiane.
Këto elemente tregojnë lëvizjen e shpeshtë si dhe lidhjen me Italinë. Në përfundim të operacionit, i dyshuari u shoqërua në ambientet e paraburgimit të Durrësit, në pritje të procedurave të ekstradimit. Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes SPAK dhe Drejtorisë Antimafia të Barit.
Më 21 maj 2025, SPAK dhe Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit, me mbështetjen e Interpolit, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë dhe Policisë së Shtetit ekzekutuan 52 urdhërarreste, (dy të lëshuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë) ndaj personave të akuzuar për trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim të produkteve të veprës penale dhe krime të tjera të lidhura me to.
Gjithashtu u krye edhe sekuestrimi i pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme në Shqipëri dhe Itali, në vlerën e disa miliona eurove. Pas konfirmimit se disa shtetas shqiptarë kishin arritur t’i shpëtonin operacionit “URA”, SPAK dhe autoritetet italiane i shtrinë hetimet në Durrës dhe në disa qytete në veri dhe jug të Italisë duke bërë të mundur lokalizimin e tij.
Shtetasi i arrestuar në Shkozet, qendra kryesore e grupit kriminal Troplini-Doçi, që vepronte mes Puglia-s, Shqipërisë dhe Holandës, u lokalizuar në lagjen e tij. SPAK thekson se procedurat ndodhen ende në fazën e hetimit paraprak.
Adi Çoba, rezulton sipas hetimeve të autoriteteve italiane të jetë drejtuesi i organizatës i cili siguronte dhe dërgonte nga jashtë, sasi të mëdha heroine dhe kokaine në Itali. Ai koordinonte dhe drejtonte nga Shqipëria aktivitetet e anëtarëve të tjerë të organizatës, shqiptarë dhe italianë.
Në dosjen italiane thuhet se Adi Çoba, në cilësinë e kreut dhe promovuesit të shoqatës, merrte dhe dërgonte në Itali korrierë që sillnin sasi të mëdha heroine dhe kokainë, të furnizuara nga Shqipëria dhe Holanda përmes veprimtarisë së paligjshme të anëtarëve të tjerë të shoqatës.
Veprimtaria kriminale e grupit të “Bazholit” u zbardh nga bisedat në SkyECC, por edhe nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Për organizimin e trafikut të sasive të mëdha të drogës, Çoba bashkëpunonte me Visin e Pojës (Elvis Doçin).
Në dosjen italiane rendit edhe një rast kur vetë Çoba është përfshirë në trafikun e kokainës në janar 2022 ku nga Shqipëria u dërguan drejt Italisë 24.850 kilogramë heroinë, nga të cilat rreth 12 kg ishin të papërpunuara dhe pjesa tjetër e ndarë në 24 pako të gatshme për t’u shitur. Heroina u prit në Itali nga Agron Ganaj, i cili e përpunoi dhe paketoi një pjesë të saj në një banesë në Noicattaro në Bari, ndërsa më pas tentoi ta shpërndajë në treg. Më pas, lënda narkotike u kap nga autoritetet italiane më 10 janar 2022.
Adi Çoba është 35 vjeç, lindur më 07.08.1991 në Durrës. Por, anëtarët e grupit kriminal e njihnin ndryshe edhe si “Bazholi", "Bisha", "I shëndoshi", "Cigani". Të katër “nofkat” që përdorte Çoba shfaqen në dosjen italiane. Për Çobën flet edhe i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, sipas të cilit “Bazholi" ishte bashkëpunëtor i Mirit (Fatmir Troplini), djali i Xhevdet Troplinit.