
TIRANA- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur fazën hetimore të çështjes nr. 44/2025 dhe e ka dërguar dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme, duke vënë në pranga tre persona të dyshuar për korrupsion aktiv dhe pasiv në ushtrimin e detyrës publike.
Në qendër të akuzave është Julian Suljoti, administrator i kompanisë “Ansoil sh.a.” në Korçë, i cili akuzohet për veprën penale të “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal. Përballë tij në bankën e të pandehurve do të ulen edhe Olsi Jarazi, inspektor i Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), dhe Luan Sadikaj, ish-inspektor i po të njëjtës strukturë, të cilët akuzohen për “korrupsion pasiv”, kryer në bashkëpunim.
Në njoftimin zyrtar, SPAK bën të ditur se hetimet proaktive të zhvilluara nga Byroja Kombëtare e Hetimit, përmes përdorimit të metodave speciale, kanë dokumentuar se më datë 1 nëntor 2021, dy inspektorët Jarazi dhe Sadikaj kanë përfituar nga Suljoti një shumë prej 900 mijë lekësh dhe 10 mijë dollarësh amerikanë.
Ky shpërblim i paligjshëm dyshohet se është dhënë me qëllimin e qartë për të shmangur masat administrative ndaj subjektit tregtar “Ansoil”, i cili ushtronte aktivitetin e tij në fushën e tregtimit të vajrave lubrifikantë pa pasur dokumentacionin teknik dhe ligjor të kërkuar, si edhe pa licencën përkatëse.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.44 të vitit 2025, ndaj të pandehurve:
Julian Suljoti, administrator i subjektit privat “Ansoil sh. a” në Korçë, i akuzuar për veprën penale, Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Olsi Jarazi, inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial,(ISHTI), për veprën penale,“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, neni 259/2 i lidhur me nenin 25 të Kodit Penal;
Luan Sadikaj, ish-inspektor pranë pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial, I(SHTI), për veprën penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, neni 259/2 i lidhur me nenin 25 të Kodit Penal.
Nga hetimet proaktive me metoda speciale hetimore, të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) rezulton se në datën 1.11.2021, të pandehurit Olsi Jarazi dhe Luan Sadikaj, me detyrë inspektorë të Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), kanë marrë shumat monetare 900.000 (nëntëqind mijë) lekë dhe 10.000 (dhjetë mijë) dollarë nga shtetasi Julian Suljoti, administrator i një subjekti privat që tregëtonte vajra lubrifikantë në Korçë.
Shumë e parave është marrë për të mos ndëshkuar me masë administrative subjektin privat, i cili ushtronte aktivitetin tregtar pa dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor dhe licensën përkatëse.
Procedim penal është regjistruar mbi bazën e akteve të procedimit penal, nr. 385/1 të vitit 2023 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244, paragrafi 2 dhe 259, paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal, i cili është sjellë për kompetencë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./