
GJAKOVË- Pedagogu dhe analisti politik, Ermal Hasimja, ka bërë një postim në rrjetet sociale, pas performanës së Ermonela Jahos në Gjakovë, ku pjesa kulmore e mbrëmjes ishte dedikimi për historitë e nënave që kanë humbur fëmijët në luftë.
Në postimin e tij Hasimja shkruan se përpara se të niste të shkruante skenarin e shfaqjes, i kishte premtuar Ermonelës që kjo do të ishte diçka e veçantë. Ai thekson se i ka premtuar, Jahos një rol me të cilin mund të shkrihej plotësisht në dhimbjen që jep muzika e vërtetë. Në fund Hasimja thekson se Ermonela Jaho, e bëri Gjakovën metropol artistik, ndërsa Gjakova e bëri atë bijën e vet më të dashur.
Sa u futëm në makinë ndenjëm pak pa folur nga tronditja. Pastaj Ermonela Jaho ktheu kokën dhe më tha: “Tani e di për çfarë do të këndoj sonte”. Sapo kishim dalë nga shtëpia e nënë Ferdonije Çerkezit, nëna gjakovare të cilës në mars 1999 policia serbe i rrëmbeu pa kthim burrin dhe 4 djemtë, mes të cilëve edhe Edmondin 14 vjeçar që ajo u përpoq të fshihte pa sukses.
E përqafova. Jo sopranon më të njohur sot në botë, një diva që anuloi kushedi se çfarë koncerti a opere në Paris a Madrid për të kënduar në Gjakovë, por Ermonelën tonë, vajzën e thjeshtë shqiptare. Po dridhej. Nuk dija që kishte ashtu dridhjeje.
4 orë më pas Ermonela shqiptare këndoi në teatrin e Gjakovës finalen e “Suor Angelica-s”. Motër Angjelika mbyllet nga familja në një kuvend murgeshash pasi i kanë marrë djalin e lindur nga një lidhje e ndaluar. Disa vite më pas ajo merr lajmin e tmerrshëm: i biri ka vdekur. Në skenë Ermonela këndoi italisht në petkun e Suor Angelica-s, por të gjithë në sallë e dinin se po këndonte historinë e nënë Pashkës, një tjetër nëne gjakovare, e rrëfyer nga aktori Arbies Komoni. Pashka priti 4 vjet derisa i sollën eshtrat e dy djemve të saj të rrëmbyer nga policia serbe, njësoj si djemtë e shumë nënave gjakovare.
Ju mund të keni parë shfaqje prekëse, por nuk besoj se keni parë shfaqje ku sopranoja qan ndërsa këndon, ku aktorët e tjerë qajnë, kur orkestra fshin lotët teksa luan dhe salla bëhet pjesë e tragjedisë. Kur finalja mbaron, një aktor ndihmon Ermonelën të ngrihet në këmbë. Pak sekonda më pas ajo drejton duart nga një zonjë në mes të sallës. Eshtë nënë Ferdonija që vetë Ermonela ka ftuar në skenë: “Nënë Ferdonije, sot ne jemi të gjithë fëmijët e tu”. Salla pohon fuqishëm me duartrokitje të nxehta.
Përpara se të nisja të shkruaja skenarin e shfaqjes i premtova Ermonelës që kjo do të ishte diçka e veçantë. Jo në kuptimin e vlerave artistike, sepse unë nuk jam skenarist, por në nivelin shpirtëror. I premtova një rol me të cilin mund të shkrihej plotësisht në dhimbjen që jep muzika e vërtetë. E dija se vetëm Ermonela mund ta bënte këtë. Dhe e bëri. Ajo e bëri Gjakovën metropol artistik, ndërsa Gjakova e bëri atë bijën e vet më të dashur.
Jam i sigurtë se edhe pas shumë vitesh shumë nga të pranishmit do të thonë: “Kam qenë edhe unë tek ajo shfaqja e Ermonelës në Gjakovë”! Faleminderit Ermonela jonë shqiptare!