Radio Televizioni Shqiptar prezantoi këtë të mërkurë, në një event të mbajtur në hollin “Gjon Simoni”, identitetin e ri vizual, projektet e reja në nisje të sezonit të ri televiziv, imazhet e ekranit si pjesë e rrugëtimit të tij drejt një pamjeje më moderne dhe dinamike.
Në ceremoninë e zhvilluar ishin të pranishëm anëtarë të kabinetit qeveritar si Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe Radka Betcheva, Drejtuesja e EBU-së për Marrëdhëniet me Anëtarët për Evropën Qendrore dhe Lindore.Kjo ngjarje e rëndësishme për RTSH mblodhi edhe gazetarë, artistë dhe figura publike nga bota e artit dhe televizionit.
Me një ofertë që shtrihet përtej transmetimit tradicional, të prezantuar si “Identiteti i ri vizual” institucioni synon të jetë më pranë audiencave të ndryshme dhe të përshtatet me zhvillimet e teknologjisë.
Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, znj.Eni Vasili, tha se identiteti i ri synon të bashkojë eksperiencën e gjatë të institucionit me një qasje më moderne.
“Është një paketë grafike e re, shumë e bukur, moderne, ashtu siç duam që të jetë RTSH-ja. Është një koncept që dëshiron të transferojë të gjithë historinë dijen, eksperiencën që mbart ky institucion drejt së ardhmes”, tha Vasili.
Ajo theksoi se ndryshimi nuk synon të shkëpusë RTSH-në nga e kaluara, por ta zhvillojë atë në përputhje me kohën.
“Tani RTSH duhet të kalojë nga normalizimi i institucionit, që ndodhi në vitin e kaluar tek marrja e një vendi dinjitoz në tregun mediatik shqiptar”, u shpreh ajo.
Vasili e përshkroi vitin e parë si drejtuese si më sfiduesin e karrierës së saj profesionale. “Sfidat dhe përgjegjësia në që drejtimin s një institucion kaq të rëndësishëm kombëtar ishin diçka krejt tjetër nga karriera e mëparshme dhe sigurisht pa ndihmën e stafit tim të ngushtë, por dhe të gjithë punonjësve të RTSH-së kjo nuk do të kishte ndodhur.
Prandaj kam një falënderim të madh edhe një duartrokitje do doja unë t’ua jepja juve për të gjithë mbështetjen që më keni dhënë.”, tha ajo.
Sezoni i ri sjell prezantues dhe autorë të rinj, si dhe formate të reja në ekran.
Sipas drejtoreshës Vasili, përzgjedhja prurjeve të reja është bërë duke pasur në fokus energjinë, profesionalizmin dhe lidhjen me publikun. “Prezantuesit dhe autorët e rinj janë risi në sezonin e ri dhe kriteret kryesore të përzgjedhjes së tyre janë energjia, profesionalizmi dhe dashuria për publikun, por edhe dashuria për RTSH-në”, tha znj. Vasili.
Drejtoresha e RTSH-së tha se objektivi është rikthimi i besimit dhe vëmendjes së publikut ndaj televizionit publik Vasili vlerësoi gjithashtu mbështetjen e EBU-së në procesin e reformimit të institucionit, duke e cilësuar bashkëpunimin me të si të rëndësishëm për zhvillimin e RTSH-së sipas standardeve evropiane.
“Kur filluam mbledhjet e para me EBU-n, një nga gjërat e para që kërkova ishte që të na jepnin të gjithë ekspertizën e tyre për reformën në RTSH. Ata na mbështetën dhe bënë të mundur një proces shumë të rëndësishëm të reformimit të të gjithë strukturës që do të çojë patjetër në ndryshime ligjore dhe në krijimin e themeleve që do ta bëjnë transmetuesin publik të besueshëm dhe të vërtetë, ashtu si simotrat e RTSH-së në të gjithë Evropën. Media në të gjithë botën përballet me sfida të mëdha. Edhe pikërisht në këto momente nevoja për mediat publike është gjithmonë e më e dukshme dhe më e rëndësishme”, deklaroi Vasili.
Radka Betcheva, Drejtuese e EBU-së për Marrëdhëniet me Anëtarët për Evropën Qendrore dhe Lindore, e pranishme në event, vlerësoi ndryshimet e ndërmarra nga RTSH dhe theksoi mbështetjen e Unionit Evropian të Transmetuesve për procesin e transformimit të transmetuesit publik shqiptar.
Në fjalën e saj, Betcheva e cilësoi prezantimin e sezonit të ri televiziv, figurave të reja në ekran dhe platformës OTT si pjesë të një agjende ambicioze.
“Është një kënaqësi e madhe të jem me ju sonte dhe të përfaqësoj Unionin Evropian të Transmetuesve në këtë moment kaq të veçantë për RTSH-në. Para së gjithash, urime drejtimit, organeve drejtuese dhe, mbi të gjitha, të gjithë njerëzve të RTSH-së që kanë punuar me shumë përkushtim për të bërë të mundur atë që shohim sonte”, u shpreh ajo.
Betcheva theksoi se ajo që po prezantohet nuk është vetëm një ndryshim estetik apo një sezon i ri televiziv, por një proces më i gjerë transformimi.
“Një identitet i ri vizual, një sezon i ri televiziv, figura të reja në ekran, një platformë e re OTT dhe shumë projekte të reja, kjo është një axhendë ambicioze. Mendoj se drejtimi i ri meriton vlerësim për këtë ambicie dhe për energjinë e re që po sjell në RTSH”, tha znj. Betcheva.
Znj. Betcheva u ndal edhe te ndryshimet që po përjeton media publike në të gjithë Evropën, duke theksuar se zhvillimi teknologjik dhe mënyra e re e konsumimit të përmbajtjeve po ndryshojnë edhe pritshmëritë e audiencave.
“Ajo që po shohim sonte është më shumë sesa prezantimi i një sezoni të ri. Është fillimi i një transformimi më të gjerë të RTSH-së. Dhe transformimi është i nevojshëm. Mediat e shërbimit publik në të gjithë Evropën po ndryshojnë, sepse edhe audiencat tona po ndryshojnë”, tha ajo.
Një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së saj ishte platforma OTT, e cila pritet të zgjerojë mënyrat përmes të cilave publiku mund të aksesojë përmbajtjet e RTSH-së. “Platforma e re OTT është një shembull shumë i mirë. Të shkosh aty ku ndodhet sot audienca nuk do të thotë të largohesh nga misioni i shërbimit publik. Përkundrazi, kjo është pikërisht ajo që kërkon përmbushja e këtij misioni”, tha znj. Betcheva.
Betcheva theksoi se RTSH nuk është e vetme në këtë proces dhe se EBU do të vijojë ta mbështesë transmetuesin publik shqiptar.
Përfaqësuesja e EBU-së tha se mediat publike duhet të zhvillohen së bashku me audiencat, duke ruajtur misionin e tyre. Betcheva vlerësoi gjithashtu fokusin e RTSH-së te njerëzit që punojnë pas programeve dhe shërbimeve të transmetuesit publik. “Mediat e shërbimit publik nuk mund të qëndrojnë në vend. Ne duhet të zhvillohemi së bashku me audiencat tona, duke qëndruar njëkohësisht besnikë misionit tonë të shërbimit publik. Më pëlqen veçanërisht fakti që RTSH po tregon edhe anën e saj njerëzore, njerëzit që qëndrojnë pas programeve dhe shërbimeve që ne shohim dhe dëgjojmë çdo ditë”, tha ajo.
Ajo e cilësoi këtë element si një kujtesë se pas çdo programi, edicioni lajmesh, shërbimi radiofonik apo platforme digjitale qëndrojnë profesionistë me përvojë, kreativitet dhe përkushtim.
RTSH vjen këtë sezon me një identitet më të gjerë vizual, që synon të krijojë një përvojë më të freskët dhe më të unifikuar për teleshikuesit, si në ekran, ashtu edhe në platformat digjitale.
Televizioni publik ka hyrë në një periudhë me projekte të reja dhe mundësi të zgjeruara për publikun, përfshirë edhe platformën OTT, e cila synon t’i afrojë përmbajtjet televizive me mënyrën e re të konsumimit të medias.
Sezoni i ri televiziv sjell një sërë risish në programacion, me përmbajtje që u drejtohen grupmoshave dhe interesave të ndryshme.
Spektaklet, filmat, dokumentarët dhe programet për fëmijë do të jenë pjesë e ofertës së re të RTSH-së.
Krahas tyre, aktualiteti dhe debati politik do të vijojnë të zënë një vend të rëndësishëm në ekran, me programe të dedikuara në oraret prime time të transmetimit.
Personazhe të rinj, formate të reja dhe një qasje më bashkëkohore synojnë t’i japin sezonit një ritëm tjetër, duke ruajtur njëkohësisht larminë e përmbajtjeve që ofron televizioni publik.
Me një identitet të ri vizual dhe projekte të reja në ekran e në platformat digjitale, RTSH hap sezonin e ri si një institucion që vijon të evoluojë bashkë me publikun e tij.
Nga arkitektura e logos te ngjyrat: si do të identifikohet RTSH
Prej disa javësh, RTSH po zhvillon një fushatë të pazakontë në ekran dhe në rrjetet sociale. “Diçka po lind”, “E kuqja ka histori”, “Historia jeton” dhe “Horizonti po ndryshon” janë disa prej mesazheve që paralajmëruan transformimin.
Ndonëse në pamje të parë dukeshin si teaser-a të zakonshëm që paralajmëronin sezonin e ri, grafikat treguan qartë ndërtimin e një gjuhe të re vizuale për transmetuesin publik. Identiteti i ri ndërtohet mbi një formulë shumë më minimale: fjala RTSH, e ndjekur nga një element rrethor, brenda të cilit vendoset numri 1. Këto ndryshime u panë dje në eventin e mbajtur për sezonin e ri, ndërsa në transmetim për publikun do të dalin të hënën e javës tjetër, më 21 shtator.
RTSH ka përzgjedhur një arkitekturë shumë më të unifikuar të markës: wordmark-u RTSH mbetet konstant, ndërsa elementi rrethor ndryshon sipas kanalit.
Ai nuk është më thjesht një logo, por një sistem që funksionon në televizor, telefon, aplikacion, website, YouTube, Instagram dhe në dhjetëra formate të ndryshme video. Me këtë arkitekturë, RTSH shkon drejt një elementi që publiku fillon ta njohë edhe pa pasur nevojë të lexojë emrin e televizionit. Në vend që të braktisë një ngjyrë historikisht të lidhur me RTSH-në, identiteti i ri po vendos atë në qendër. E kuqja është njëkohësisht pjesë e historisë vizuale të RTSH-së dhe një nga kodet më të forta të identitetit kombëtar shqiptar. Kjo është arsyeja pse identiteti i ri vizual nuk kërkon të fshijë të kaluarën, por synon ta modernizojë atë.
Më pranë platformave streaming
RTSH ka përgatitur për këtë sezon televiziv një prej paketave më ambicioze të serialeve ndërkombëtare të viteve të fundit. Pesë produksione të tjera, që shkojnë nga romanca moderne turke te superprodhimet historike europiane dhe historia e një prej familjeve mbretërore më të njohura të kontinentit.
Bëhet fjalë për disa projekte që kanë pasur tashmë një rrugëtim të rëndësishëm ndërkombëtar dhe RTSH nuk po mbështetet vetëm te formula klasike e serialeve të gjata turke.
Në të njëjtën paketë kemi Disney+, produksione europiane premium, një serial të prezantuar në CANNESERIES, një dramë historike me kast ndërkombëtar dhe një miniserial me Can Yaman, të shpërndarë në tregje të ndryshme botërore.
Ky është vetëm fillimi… Historitë sapo kanë nisur.
