
TIRANË- Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me presidentin Emmanuel Macron u pyet për NATO-n dhe propozimin e presidentit Donald Trump që vendet anëtare të dedikojnë 5% të PBB për mbrojtjen.
Rama tha se Shqipëria nuk ka një buxhet të madh dhe ka shumë nevoja për të përmbushur. Ai tha se vendi ynë e ka përmbushur detyrimin ndaj kontratës së Aleancës, rritjen e buxhetit në 2%, si objektiv i përbashkët i NATO-s.
Kreu i qeverisë u shpreh se Franca është rast unik me një ushtri të kompletuar, por tha se Shqipëria nuk mundet dot ta ketë një të tillë me të gjitha armët deri tek ajo bërthamore. Ai shtoi më tej se “nuk do të mbushim depot me lloj-lloj mallrash që as s’do t’i përdorim”.
“Së pari ne kemi ecur sipas angazhimit duke rritur buxhetin dhe kapur 2% që ka qenë objektivi i përbashkët i aleancës dhe që në krye të herës është dukur si diçka e pamundur, duke pasur parasysh se s’kemi një buxhet të madh dhe kemi shumë nevoja për të përmbushur. Por gjithsesi e kemi përmbushur detyrimin tonë ndaj kontratës së përbashkët ndaj aleancës. E dyta, është moment i veçantë që ka sjellë në tryezë nevojën për të investuar më shumë dhe duam ta shfrytëzojmë për të rilindur industrinë tonë ushtarake, gjë që kemi nisur ta bëjmë. Duke e shfrytëzuar investimin më shumë në buxhet për mbrojtjen si një investim për të krijuar vende të reja pune të mirëpaguara e kështu me radhë.
Duke parë që tani është fryma e përgjithshme që të rriten buxhetet na vijnë kompani nga të katërt anët e Europës, kemi këtë për të shitur, kemi atë për të shitur, blini nga ne makina, blini biçikleta, është diçka që tregon se çështja nuk është se sa para vendosim ne në dispozicion por si t’i përdorim ato para me çfarë efikasiteti dhe si këto para e kompletojnë panoramën e përgjithshme të të gjithë vendeve Europiane.
Franca është rast unikal që ka një ushtri nga A-ZH dhe mund ti bëjë vetë të gjitha, por Shqipëria nuk mundet dot ta ketë një ushtri të tillë dhe si Shqipëria ka edhe shumë vende të tjera që nuk mund të keni një ushtri që ti ketë të gjitha deri tek arma bërthamore. Ne duhet të jemi komplementarë në kontekstin e përgjithshëm, duhet një plan i mirë menduar me procedura të qarta për të gjithë dhe garanci eficense në ato paratë që vendosen.
Nëse kjo bëhet një histori që vendos në buxhet para dhe shpenzoji dhe shëno ato që i shpenzuam, atëherë do ti kemi plot depot me lloj-lloj mallrash që as nuk do ti përdorim. Përpara disa javësh pata një bisedë me CEO e një prej kompanive më të mëdha të prodhimit të armëve në botë dhe më tha ‘kam vizituar një vend që ka blerë pafund armatime dhe që akoma i kanë të pahapura, nuk i kanë futur në punë’. Në letra rezulton si shpenzim i mjaftueshëm për ushtrinë por nuk është forcim i mbrojtjes. Ne duhet të jemi realist dhe të kuptojmë si do të rrisim kapacitetet jo buxhetin vetëm.
Si do të kemi një sistem të mbrojtjes së Europës me efikas, më të gatshëm, më të plotë dhe jo si do kemi në blloqe shpenzime ushtarake për të blerë mjete. Europa nuk mund të kthehet në një territor ku flitet vetëm për armë dhe mendohet vetëm për luftë. Ka edhe plot gjëra të tjera që do i kemi parasysh. Kur vjen puna tek Europa ka dy territore për të mbrojtur, atë fizik dhe shtetëror.", tha ai.