TIRANË- Programi qeverisës i Partisë Socialiste është publikuar ditën e sotme. Në programin e siguruar nga Dosja.al, është ndarë në tre shtylla kryesore.
Shtylla e dytë kryesore ka të bëjë me rritjen ekonomike të qëndrueshme të vendit. Në këtë shtyllë përfshihen sektorë si financat publike, tregu i punës, infrastruktura moderne, bujqësia, turizmi dhe inovacioni e teknologjia.
Ndërkohë që në përshkrimin e këtyre sektorëve theksohe se Shqipëria e vitit 2030 është me një ekonomi të hapur dhe konkurruese. Ndërkohë që theksohet se rritja ekonomike nuk është vetëm objektiv, por rruga për një Shqipëri të fortë.
Shtylla II: Rritja Ekonomike e Qëndrueshme
Rritja ekonomike e qëndrueshme është boshti mbi të cilin ngrihet ky mandat qeverisës. Ajo nuk është thjesht një shifër në tabelat e ekonomisë, por është garancia që Shqipëria ecën përpara me financa të shëndosha, me sipërmarrje që inovon, me një treg pune më të drejtë dhe me një stabilitet makroekonomik që përkthehet në të ardhura më të larta dhe standard më të mirë jetese për çdo familje shqiptare. Rritja jonë është e lidhur me
rregullat dhe disiplinën e Bashkimit Europian, sepse vetëm kështu Shqipëria bëhet pjesë e plotë e ekonomisë së madhe europiane.
Financat publike janë garancia e besimit dhe e qëndrueshmërisë. Ne synojmë një shtet që planifikon me përgjegjësi, shpenzon me mençuri dhe vepron me transparencë. Një arkitekturë fiskale e shëndoshë do të jetë ura mes rritjes dhe drejtësisë sociale: përmes barazisë tatimore, llogaridhënies dhe besimit mes shtetit dhe qytetarëve.
Qëndrueshmëria fiskale nuk është thjesht disiplinë; është premtimi që gjeneratat që vijnë të gjejnë një ekonomi më të fortë se sot. Bizneset janë zemra e rritjes ekonomike. Një klimë e qëndrueshme investimesh, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe hapësira të reja për inovacion e sipërmarrje janë prioritetet tona. Shqipëria po bëhet vend ku procedurat burokratike zvogëlohen, ku sipërmarrësit kanë akses më të lehtë në financa, ku konkurrenca është e ndershme dhe ku biznesi i ndershëm shpërblehet.
Tregu i punës është pasqyra e shëndetit të ekonomisë. Me garancinë rinore, të rinjtë hyjnë me më shumë mundësi në punë; arsimi dual lidh edukimin me jetën reale dhe biznesin; ndërkohë që politikat aktive të punësimit nxisin punë të denja dhe të mirëpaguara. Një ekonomi e qëndrueshme nuk matet vetëm nga rritja e PBB-së, por nga aftësia për të hapur vende pune të sigurta dhe për të rritur cilësinë e jetës së punonjësve.
Infrastruktura moderne është motori i zhvillimit. Portet, aeroportet dhe rrjetet rrugore lidhin tregjet, hapin korridore të reja tregtare dhe i japin Shqipërisë një lëvizshmëri të re. Ky investim krijon jo vetëm punë, por edhe rrit besimin e investitorëve se Shqipëria është një vend që ofron stabilitet, akses dhe perspektivë.
Energjia e së ardhmes është e pastër, e sigurt dhe e përballueshme. Vizioni ynë është të kthejmë potencialin energjetik të Shqipërisë në avantazh kombëtar: për një industri konkurruese dhe për një vend që bëhet pjesë aktive e tranzicionit të gjelbër europian. Energjia e gjelbër për ne është ekonomi, mjedis dhe siguri në të njëjtën kohë.
Inovacioni dhe teknologjia janë pasaporta e brezit të ri drejt botës. Shqipëria e vitit 2030 është një ekonomi që mendon dhe vepron dixhitalisht. Ne synojmë një shoqëri ku inovacioni është kulturë pune, ku teknologjia përmirëson shërbimet publike, ku startupet kthehen në biznese konkurruese dhe ku inteligjenca artificiale shfrytëzohet me përgjegjësi për të rritur cilësinë e jetës. Vendi ynë do të jetë një hapësirë ku idetë lindin,
rriten dhe depërtojnë në tregun europian.
Turizmi është vitrinë dhe motor i ekonomisë sonë. Ne shohim një Shqipëri që pret vizitorë gjatë gjithë vitit, me standarde të larta mikpritjeje, me identitet të fortë kulturor dhe me natyrë të mbrojtur. Me investime në infrastrukturë turistike, me diversifikim të ofertës, nga turizmi bregdetar te ai kulturor, malor, shëndetësor e sportiv – vendi ynë kthehet në një histori suksesi ndërkombëtar. Turizmi nuk është vetëm ekonomi, është histori, kulturë dhe vlerë e shtuar kombëtare.
Bujqësia dhe zhvillimi rural janë themeli i qëndrueshmërisë. Me teknologji moderne, zinxhirë të integruar prodhimi dhe akses më të madh në tregjet europiane, bujqësia shqiptare do të garantojë siguri ushqimore, do të mbështesë eksportet dhe do të lidhet drejtpërdrejt me turizmin. Zhvillimi rural do të thotë më shumë mundësi për fermerët, fshatra më të gjallë, ekonomi lokale më të forta dhe një territor të balancuar mes qytetit dhe fshatit.
Shqipëria e vitit 2030 është pjesë e plotë e Bashkimit Europian, me një ekonomi të hapur dhe konkurruese që ecën në një hap me vendet më të zhvilluara të kontinentit. Është një ekonomi e gjelbër dhe moderne, që i kthen çdo pikë rritjeje në më shumë mundësi, më shumë punë të mirëpaguara dhe më shumë mirëqenie të prekshme për qytetarët. Rritja ekonomike nuk është vetëm objektiv – ajo është rruga për një Shqipëri të fortë, të qëndrueshme dhe europiane.