
BRITANI- Mbështetësi i Brexit-it, Nigel Farage, po paketon valixhet dhe po përgatitet të niset për në Shqipërinë me diell, nëse do t'i besojmë replikave të shkëmbyera kohët e fundit në rrjetet sociale mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.
Të dy kanë shkëmbyer kritika të ashpra pasi Rama shprehu qëndrimet kritike për Britaninë pas Brexit-it dhe politikave të saj kontraverse për migrantët. Farage u hakmor duke i thënë Ramës të “merrte mbrapsht të gjithë kriminelët”, duke këmbëngulur se një në 50, ose edhe më shumë, shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar janë pas hekurave.
Që nga ai moment situata erdhi duke u përshkallëzuar. Rama, në një seri postimesh në X, i quajti shifrat e Farage “të çmendura ” dhe vuri në dyshim se sa prej tyre u dënuan për shkak të “sistemit të vjetëruar të imigracionit dhe vizave” të Mbretërisë së Bashkuar, megjithatë vendosi "ta vriste" Farage-n me mirësi dhe ta ftonte të vizitonte për të shijuar “diell të vërtetë, mikpritje të vërtetë dhe madje edhe më shumë fakte rreth Shqipërisë dhe popullit të saj të mrekullueshëm”.
Farage përfundimisht e pranoi ftesën me kusht që të diskutonte kthimin e të burgosurve shqiptarë. Por çfarë mund të fshihet në itinerarin e pushimeve të Farage në Shqipëri?
Farage dhe Rama u kontaktuan për komente në lidhje me kohën e mbërritjes së fluturimit të deputetit britanik. Edhe pse nuk u mor asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit, POLITICO ka publikuar në mënyrë ironizuese një "draft-itinerar", për çdo rast.
9 gjëra që Nigel Farage mund të bëjë në Shqipëri janë:
Shqipëria është shtëpia e deri në 700,000 bunkerëve prej betoni të ndërtuar gjatë regjimit totalitar komunist të diktatorit Enver Hoxha. Ato kishin për qëllim mbrojtjen kundër çdo pushtuesi të mundshëm, diçka që mund ta frymëzonte Farage në përpjekjen e tij për të shmangur një “pushtim” të emigrantëve nga përtej Kanalit Anglez.
Takimi me "burrneshat" në veri të Shqipërisë
Të njohura edhe si "burrnesha", disa gra në veri të Shqipërisë për të marrë përsipër përgjegjësitë e një babai të ndjerë ose të një kryefamiljari mashkull, bëjnë një betim beqarie dhe përqafojnë veshjen dhe sjelljen mashkullore. Ndërsa janë të pakësuara në numër me vetëm tre të mbetura, një takim me ta mund t’i ofrojë Farage një perspektivë të re përtej debateve të zakonshme mbi identitetet gjinore.
Pasi i acaroi bullgarët me një retorikë të ngjashme kundër migrantëve potencialë, Farage bëri një udhëtim në Bullgari në vitin 2013. Ai u filmua duke shijuar një gotë verë dhe sharmin e disa muzikantëve dhe valltarëve vendas. Farage mund të tundohet të zëvendësojë birrën e tij karakteristike me pak raki, një pije alkoolike të fuqishme të bërë nga rrushi ose kumbullat.
Një vizitë në Selinë Botërore Bektashiane
I akuzuar më parë për përhapjen e retorikës anti-muslimane, Farage mund të zgjerojë horizontet e tij me një udhëtim në Selinë Botërore Bektashiane në Tiranë. Kryegjyshata botërore bektashiane ka të ngjarë të bëhet versioni i Vatikanit në Shqipëri nëse një njoftim i vitit 2025 nga Rama për t'i shndërruar ata në një shtet sovran brenda vendit realizohet.
Homazhe në varrezat gjermane
Si stërnip i një emigranti gjerman që iku në Mbretërinë e Bashkuar në kërkim të një jete më të mirë dhe bashkëshort i një gruaje gjermane, Farage mund të bëjë homazhe në Varrezat e Luftës Gjermane në qendër të Tiranës. Në varësi të kohës së vizitës së tij, ai mund të jetë gjithashtu i ftuari nderi në ceremoninë e përbashkët të organizuar nga ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë çdo të Dielë Përkujtimore. Ai gjithashtu mund të shohë një fragment të Murit të Berlinit jashtë zyrës së Ramës ndërsa është aty.
Vizitë në Teatrin e Kukullave
Farage ka thënë se kur të largohet nga politika, dëshiron të shkojë në teatër. Kështu që ai mund ta përdorë vizitën e tij në Shqipëri si një shans për të vizituar Teatrin historik të Kukullave. I restauruar me fondet e Bashkimit Evropian pas tërmetit të vitit 2019, ky vend mund t’i kujtojë gjithashtu kohën kur e quajti Presidentin francez Emmanuel Macron një “kukull” të ish-kreut të Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker.
Vizitë te statuja e Mbretëreshës Elizabeth II
Në qytetin verior të Hasit, ku më shumë se 80% e vendasve kanë familje në Mbretërinë e Bashkuar, në qendër është ngritur një statujë e Mbretëreshës Elizabeth II. Farage mund të shkojë edhe në Kukësin aty pranë, një qytet tjetër me lidhje të forta me Mbretërinë e Bashkuar, ku mund të vizitojë “Costa Caffe” dhe të numërojë numrin e makinave me targa të verdha britanike. Qyteti ishte gjithashtu i pari në botë që u nominua për Çmimin Nobel për Paqen për shkak të ndihmës së dhënë rreth 400,000 refugjatëve kosovarë gjatë luftës së viteve 1998-1999, një rrëfim empatie që mund të frymëzojë një ndryshim zemre tek Farage për çështjen e emigrantëve.
Një filxhan kafeje të këndshëm
Ndonëse nuk janë adhurues të mëdhenj të çajit, shqiptarët e marrin kafenë shumë seriozisht dhe Tirana ka një nga numrat më të lartë të kafeneve në Evropë. Për më tepër, besa, kodi i nderit shqiptar i vendos mysafirët mbi Zotin dhe madje edhe familjen dhe iu garanton respekt maksimal të të ftuarit.
Sipas imazheve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale të Ramës, një pushim në plazh do të jetë në krye të axhendës. Vija bregdetare e Shqipërisë shtrihet për rreth 276 kilometra, duke kaluar përgjatë Detit Adriatik dhe Detit Jon, dhe ofron shumë mundësi që ai të bëjë një pushim të merituar larg politikës.
Por duke iu kthyer seriozitetit, kush ka të drejtë mes Ramës dhe Farage?
Në tetor 2024 , gazeta Telegraph publikoi një artikull që pretendonte se 52,000 shqiptarë jetonin në Mbretërinë e Bashkuar, me 1,227 prej tyre në burg, me sa duket burimi i pretendimeve të Farage.
POLITICO kontaktoi ambasadorin shqiptar në Londër, Uran Ferizi, për të kërkuar të dhënat e tyre mbi numrin e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar. Ai tha: “Ne besojmë se ka më shumë se 300,000” dhe ndau një dokument që vëren se shifrat e Telegraph përjashtojnë shqiptarët e natyralizuar, fëmijët shqiptarë të lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe “dhjetëra mijëra” shqiptarë me pasaporta greke dhe italiane, siç tregohet nga të dhënat konsullore.
Sa i përket numrit të shqiptarëve të burgosur, dokumenti i ambasadës thotë se nuk merr parasysh moshën, seksin dhe statusin socioekonomik dhe vazhdon se kur bëhet përshtatja për çekuilibrat demografikë dhe numrin aktual të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, shkalla e nënkuptuar e burgosjes është: “përafërsisht 1 në 500”.
Nëse Farage pranon se faktet e tij janë të gabuara, Rama ka kërkuar që ai të jetë i pari që t'u thotë kujtdo që flet keq për shqiptarët "të mos e bëjë më". /POLITICO