KOSOVA- Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Kosovë ka përfunduar vlerësimin psikiatrik ndaj Naim Murselit, i cili po akuzohet për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj. Në dokument përjashtohet mundësia që ai të ketë ndonjë sëmundje ose çrregullim mendor.
“Tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo përhershëm”, thuhet në raport.
Ekspertët nuk kanë gjetur asnjë shenjë të abuzimit me substanca narkotike apo alkool, dhe as ndonjë pengesë në zhvillimin mendor që do të ndikonte në perceptimin e realitetit. Sipas raportit, në momentin e kryerjes së krimit, Murseli ka qenë në gjendje të kuptojë veprimet e tij dhe pasojat që ato shkaktojnë.
Ekspertiza thekson se i akuzuari është “plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm”, në gjendje të marrë pjesë në procesin gjyqësor, të kuptojë akuzat dhe të ndërveprojë me avokatët e tij. Sipas raportit, Murseli është i vetëdijshëm për situatën ku ndodhet dhe përdor mekanizma mbrojtës si shmangien dhe mohimin. Aktualisht ai mohon se ka mendime për vetëlëndim apo për të lënduar të tjerët.
Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. N Fillimisht ngjarja e ndodhur në fshatin Bërrnicë të Prishtinës u raportua si vrasje si pasojë e grabitjes, por hetimet morën një rrjedhë tjetër, me skenarin e dyshuar se bashkëshorti i saj porositi vrasjen. Atë natë, 29 nëntor 2023, 30-vjeçarja ndodhej në automjet me fëmijët dhe bashkëshortin, Naim Murseli. Ajo u qëllua me plumb në qafë, në prani të fëmijëve të saj. Dyshimet janë se vrasjen e kishte kryer Granit Plava, me urdhër të Murselit i cili i kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK-së.
Ata u arrestuan ditën ku u varros Liridona, ndërsa ajo që e rëndoi këtë ngjarje ishte se vetë bashkëshorti i saj mori pjesë në ceremoninë mortore duke pritur ngushëllimet për vrasjen që ai vetë kishte porositur. Tre të dyshuarit, përfshirë edhe bashkëshortin e të ndjerës, vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Kokalla për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale "Vrasje e rëndë”. Motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë nuk duhet dihet ende, ndërsa në Prokurorinë e Kosovës janë disa pista, të cilat u aluduan gjerësisht në media.