DURRËS- Prokuroria e Durrësit ka marrë sot në Bashkinë Durrës dokumentet e tenderit për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Erzen. Shkak për këtë janë bërë hetimet që po zhvillon kjo prokurori, pas përmbytjeve në muajin Janar në qytet.
Prokuroria e Durresit thekson se procedimi penal është regjistruar në kuadër të situatës së përmbytjeve të ndodhura pas daljes nga shtrati të lumit Erzen, si dhe pas urdhrit për evakuimin e banorëve në zonat e prekura.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka regjistruar procedimin penal Nr.56, viti 2026, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me përmbytje”, “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 153, 161 dhe 248 të Kodit Penal.
Sipas materialit nisur nga situata e përmbytjeve, urdhërit të evakuimit të banorëve pas daljes nga shtrati të lumit “Erzen” dhe pas konstatimit nga rrjetet sociale konkretisht “Facebook”, si dhe nga mediat e ndryshme lokale, të ndërhyrjes për rehabilitim të argjinaturës së lumit “Erzen”, lind e nevojshme adminstrimi pranë Bashkisë Durrës të dokumentacionit që ka shërbyer për kryerjen e punimeve për rehabilitimin e argjinaturës së lumit “Erzen”.
Sa më lart, për nevoja të hetimit del e domosdoshme, sekuestrimi pranë Bashkisë Durrës, sa më poshtë vijon:
1- Dokumentacioni i procedurës së prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim për objektin “Rehabilitim i argjinaturës, ngritjes së bankinës dhe sistemimi i argjinaturës së lumit “Erzen”.
2- Dokumentacioni tekniko-ligjor i të gjithë procedurës së lejes së ndërtimit për objektin “Rehabilitim i argjinaturës, ngritjes së bankinës dhe sistemim i argjinaturës së lumit “Erzen”.
Nisur nga sa më lart, bazuar në nenin 208 të K.Pr.Penale,
Të bëj sekuestrimin pranë Bashkisë Durrës, sa më poshtë vijon:
1.1- Dokumentacioni i procedurës së prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim për objektin “Rehabilitim i argjinaturës, ngritjes së bankinës dhe sistemimi i argjinaturës së lumit “Erzen”.
1.2- Dokumentacioni tekniko-ligjor i të gjithë procedurës së lejes së ndërtimit për objektin “Rehabilitim i argjinaturës, ngritjes së bankinës dhe sistemim i argjinaturës së lumit “Erzen”.
Një kopje e vendimit te sekuestrimit t’i vihet në dispozicion personit përgjegjës pranë Bashkisë Durrës. Sekuestrimi i dokumentave të kryhet nga oficeri i policisë gjyqësore Erind Gjoni.
Për dokumentimin e zbatimit të këtij vendimi të hartohet procesverbali përkatës, një kopje e të cilit, bashkë me dokumentet përkatëse duhet t’i bashkëngjitet fashikullit të prokurorit. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës nga i pandehuri apo personi/subjekti të cilët i janë sekuestruar dokumentet provë materiale.