Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka sekuestruar një automjet luksoz të llojit “Lamborghini Urus Mansory”, në pronësi të shtetasit Arbër Muça, pas dyshimeve se pasuria ka prejardhje nga veprimtari kriminale.
Ky është sekuestrimi i radhës ndaj Muçës, i cili rreth një vit më parë iu bllokuan pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë rreth 2 milionë euro, përfshirë automjete, bizhuteri dhe shuma të konsiderueshme parash.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, sekuestrimi i “Lamborghinit”, i modifikuar nga fabrika e njohur “Mansory” dhe i sjellë nga Dubai përmes personave të tretë, është bërë në kuadër të hetimeve për pastrim parash dhe pasurim të paligjshëm. Masa është marrë më datë 10 korrik 2025, në kuadër të procedimit pasuror nr.3 të vitit 2024, bazuar në ligjin për masat parandaluese kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Hetimet ndaj Arbër Muçës kanë nisur që në vitin 2020, nën dyshimet për përfshirje në aktivitete të paligjshme dhe pastrim të produkteve të veprës penale, sipas nenit 287 të Kodit Penal.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në vijim të hetimeve në procedimin penal nr.1162, datë 15.10.2020 për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i K.Penal, sekuestroi automjetin tip ‘Lamborgini Urus Mansory’, të shtetasit A.M.
Kjo prokurori ka regjistruar kryesisht procedimin pasuror nr.3 të vitit 2024, mbështetur në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” dhe sekuestrimi i makinës luksoze erdhi një vit pas sekuestrimeve të mëparshme ndaj pasurive të luajtshme (automjete, bizhuteri dhe vlera monetare) dhe paluajtshme me vlerë rreth 2 milion Euro të shtetasit A.M.
Automjeti luksoz u sekuestrua me vendimin e datës 10.07.2025 dhe rezulton të jetë modifikuar nga fabrika Mansory dhe është sjellë në Shqipëri nga Dubai, duke u fshehur nëpërmjet personave të tretë.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grupveprat që lidhen me pasurimin e paligjshëm nëpërmjet marrjes së masave për sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre.