TIRANË- Procesi gjyqsor për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan ndoja po vazhdon ditën e sotme në GJKKO. Në seancën e sorme ka dhënë dëshminë e tij Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut), i cili ndodhej në makinë bashkë me Ndojën.
Në këtë gjyq të akuzuar janë Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe. Laho në fjalën e tij para gjykatës ka deklaruar se është i papunë dhe jeton në Gjermani. Ai ka shtuar se ngjarjen nuk e mban mend mirë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Ndërsa dy të akuzuarit për ngjarjen kanë hedhur poshtë akuzat ndaj tyre. Dervishaj ka deklaruar se dëshmia e Lahos është kontradiktore, ndërsa Meçe tha se policia kur e ka arrestuar nuk i ka gjetur asnjë provë që e lidhin me ngjarjen.
Aleksander Laho: Jam i papunë jetoj jashtë shtetit në Gjermani, më parë kam pas emrin Pëllumb Muharremi. Unë çdo ditë shkoj në Durrës. Në 1 nëntor 2019 shkoj me Stiven Mziun dhe Agron Bejdollin kam shkuar tek lokal korali në plazh për të ngrënë drekë. Në lokal kam ngrënë drekë dhe më pas janë larguar dy të tjerët që ishin në tavolinë.
Në lokal kemi qëndruar për rreth dy orë. Më pas kemi dalë dhe jemi larguar dhe Arjani më kërkoi që të shkoja me makinën e tij, deri në Sukth. Ngjarjen nuk e mbaj mend, për shkak edhe të gjendjes shëndetësore. Deklarime me të zgjeruara do t’i jap para prokurorit të çështjes. Unë s’e njoh Ariol Halilajn. Pasi pashë pamjet filmike, i dalloj personat por nuk i identifikoj dot.
Plarent Dervishaj: Dëgjova zotin prokuror që tha ‘të vijnë dëshmitarët në gjyq dhe të japin shpjegimet këtu dhe ta shohin nëse jam unë apo nuk jam unë, apo bashkëvuajtësi im’. Në bazë të dëshmisë që ka dhënë Aleksandër Laho, zoti Prokurori i besoni asaj dëshmie apo jo? Sikur nuk shkojnë këto gjëra janë kontradiktore?
Julian Meçe: Unë këtu po shikoj dhe dëgjoj dëshmitar që nuk kanë lidhje fare me gjykimin tim. E nderuar me datë 1 nëntor më ka arrestuar policia, s’më ka gjetur faktor plotësues asgjë, sinqerisht nuk ju kuptoj.
Atentanti ndaj Prokurorit Arjan Ndoja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019. Ndoja, bashkë me Landi Muharremin (Aleksandër Laho), dhe Andi Maloku ishin duke drekuar në zonën e plazhit në Durrës. Të tre, u nisën drejt Tiranës pas drekës dhe në zonën e mbikalimit të Shkozetit, u qëlluan nga një makinë Benz, në ecje, ku dyshohet se ka qenë brenda Redjan Rraja. Për pasojë u plagosën të tre, por në gjendje më të rëndë ishte Andi Maloku, i cili u bë mbrojtja e prokurorit Ndoja në atentat. Për shkak të plagëve të shumta, ai ndërroi jetë dy ditë më vonë në spitalin e Traumës në Tiranë.